Bullizmi mes të rinjve vitet e fundit në Pogradec është bërë një nga problemet më të mëdha, pasi në shumë raste ka pasur situata të rënda ku të rinjtë kanë lënduar vetveten.
Kjo 16-vjeçare tregon se si, kohë më parë, u përball me sulme dhe denigrime të vazhdueshme në internet.
“Ka nisur duke më marrë fotot në rrjetet e mia sociale, duke i shpërndarë shoqet që unë kisha besim të fortë, me komente fyesi dhe denigruese në TikTok. Më pas kalova në një gjendje shumë të rëndë emocionalisht, hyra në një botë shumë të errët ku gjykoja veten se përse. Mendoja aktin më të rëndë, vetëvrasjen. Në fillim nuk doja, por më pas u shpreha me psikologen time, Etleva Memia, isha në gjendje shumë të rëndë. Në fillim isha shumë kokëfortë për tu shprehur, por më pas ja dola. U rebelova, fillimisht në familje, i kthehesha shumë keq mamit, më pas në klasë. Bullizmi nuk shërohet lehtë, zgjati deri në 3-4 vite. Sot jam shumë krenare, me besim të fortë që s’do të më thyejë askush.”
16-vjeçarja, e cila ja ka dalë të kalojë bullizmin, ka një mesazh për të rinjtë si ajo.
“Të themi jo bullizmit, të shprehemi që ta bëjmë shpirtin tonë të ndihemi më mirë dhe të mos lejojmë askënd të na ulin, kemi institucione posaçërisht për këtë gjë.”
Etleva Memia, punonjëse për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve, thotë se rastet më së shumti ndodhin në shkollat 9-vjeçare.
“Në 2024, zyra e mbrojtjes së të drejtave të fëmijëve ka menaxhuar 33 raste të fëmijëve me probleme në sjellje, sociale, bullizëm, ngacmime seksuale etj. Është një shifër e konsiderueshme, më dominante është dhuna që ata kanë ndër vete, përdorimi i biçakëve që ata i gjejnë lirshëm në treg, dhe këto elementë i shohim shumë të zhvilluar në shkollat 9-vjeçare. Ne kemi bashkëpunim me shërbimin psiko-social për parandalimin e rasteve, por ndikimi kryesor janë rrjetet sociale, ne i mëshojmë TikTok-ut gjithmonë, por është Snapchat-i ai i cili i çon fëmijët në këto situata.”, shprehet psikologia Etleva Memia.
Ka raste kur fëmijët dëmtojnë veten pasi nuk ja dalin dot t’i bëjnë ballë presionit që shkaktohet nga bashkëmoshatarët apo rrjetet sociale.
“Kemi edhe fëmijë që vijnë nga familje shumë të rregullta, të cilët përfshihen si pjesë e një grupi. Nga familje me probleme sociale të theksuara, ku njëri prind jeton jashtë dhe kanë humbur kontrollin, ka nëna që punojnë dhe nuk e kanë vëmendjen tek fëmija. Ka fëmijë që vijnë nga familje ku prindi është i alkoolizuar dhe këtë situatë fëmija e reflekton tek shokët dhe shoqet në shkollë. Kemi pasur raste ku fëmijët dëmtojnë veten me mjete prerëse dhe kjo po bëhet shumë e shpeshtë si tek vajzat ashtu edhe tek djemtë. Ata janë të pazotë për të reaguar, mendojnë se nuk u dëgjohet fjala, kanë frikë se po ta shprehin problemin tek shërbimi psiko-social do të ndihen të vegjël.”
Konfliktet me armë të ftohta mbeten po ashtu një problematikë ku në 4 vitet e fundit janë shënuar dhe menaxhuar nga njësia e fëmijëve 26 raste të tilla.