Subscribe

Tërmeti tragjik la pas fatkeqësi dhe histori njerëzore që nuk i ngjajnë njëra-tjetrës.

Këtu jemi në zonën e Yzberishtit, ku disa pallate janë shpallur të pabanueshme në dy katet e para, por të parrezikshme në katet e sipërme.

Kjo është shtëpia e Ismail Kacit. Banesa e tij është dëmtuar rëndë dhe ai nuk jeton më aty që nga 8 dhjetori i vitit të kaluar.

“Mua më kanë thënë mos u fut se ka dëmtime të rënda, mos merr në qafë fdëmjët e njerëzit. Nuk kam qëndruar këtu fare, e kam kthyer kështu si magazinë. Ishalla u mbushte mendja vetë të vijnë ta riparojnë.”

Familja e Ismailit është zhvendosur një kat më lart, në një banesë me qira…Ai ka perfituar bonusin e qirasë nga shteti, por nuk ka asnjë premtim se kur do të nis rikonstruksioni i pallatit të tij.

“Paguaj 250 mijë lekë, marr nga shteti 180. Edhe këtu jemi të pasigurtë sepse edhe kjo po u prish, kati i parë do të dëmtohet fillimisht. Ka 6 muaj, se çfarë do të bëhet me ne, nuk dimë. Kam paguar 45 mijë euro për atë shtëpi, kam punuar tërë jetën.”

Situata është e ngjashme edhe në pallatet këtu pranë. Edhe ky pensionist jeton në banesë me qira në të njëjtin pallat.  Ai ndihet i zhgënjyer nga indiferenca e shtetit në këtë një vit post tërmet

“Gjersa kanë thënë e pabanueshme, do të thotë se i kanë vënë shiritin. Por këtu ka qiraxhi, ku të shkoj, ku të mbytem. E kam marr bonusin, por një herë e japin, një herë nuk e japin. Dy muaj nuk e dhanë dhe u detyruam të marrim borxh.”

Të gjithë familjet e prekura kanë një shqetësim të përbashkët, pasigurinë dhe paqartësinë se kur do të nisin jetën normale, aty ku e lanë pas 26 nëntorit 2019.

 

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *