Dy prej pjesëmarrësve të lëvizjes studentore të Dhjetorit 1990, Ilir Dizdari dhe Spiro Curri, kanë rikthyer kujtimet e asaj periudhe historike në emisionin “Live në Mëngjes” në Vizion Plus, duke rrëfyer emocionet, rreziqet dhe motivimin që i shtyu drejt protestës që i dha fund regjimit komunist.
Ilir Dizdari u shpreh se guximi i tyre ishte i jashtëzakonshëm dhe se vetëm besimi i dha forcë rinisë së asaj kohe të përballej me një sistem represiv.
“Ka qenë vullneti i Zotit. Atë lloj trimërie nuk ta jep kush tjetër. Në një sistem që kishte burgosur e internuar, ne mund të ishim të vdekur. Atëherë ishte garda speciale 326 me ushtarë të armatosur, ndërsa ne kishim vetëm laps e letër në xhep. Ishim nisur drejt Sheshit Skënderbej për t’i ftuar të gjithë shqiptarët të na bashkoheshin. Nuk patëm asnjë organizim; kishim vetëm një kërkesë: Duam liri dhe demokraci,” u shpreh Dizdari.
Edhe Spiro Curri, një tjetër ish-student i Dhjetorit, e cilësoi lëvizjen si një moment historik që solli ndryshimin e shumëpritur për vendin.
“Ka qenë ndryshim epokal. Çdo brez ka misionin e tij, dhe ne ishim aty për ta kryer këtë ndryshim. Ne kërkuam që sovraniteti t’i kthehet popullit shqiptar. Kemi qenë aty në momentin kur historia kërkoi të ndodhte një gjë e tillë. Jam krenar pa dyshim,” tha Curri.
Dekadat kalojnë, por për ish-studentët, Dhjetori ’90 mbetet simbol i guximit, i shpresës dhe i fillimit të rrugës drejt demokracisë.
/vizionplus.tv





