“Më kërkoi të takoheshim urgjentisht” Haradinaj refuzon ftesën e Kurtit

Ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj pohoi se Albin Kurti i kishte dërguar një letër, në të cilën i bënte ftesë për takim, ku do të bisedonin për tema me interes kombëtar.
Në një prononim për mediat, Haradinaj deklaroi se e kishte refuzuar ftesën me Kurtin.
“Z.Kurti sot më ka dërgu një letër, urgjent për parlament në takim. Dje ka dalë në konferencë për shtyp, ai sot më dërgon një letër më kërkon në takim me bisedu për tema të interesit nacional. Nuk kam shkuar në takim sepse i kam thënë se me kë thirrur mbasi ke dhënë qendrim.”
Nga ana tjetër, Haradinaj bëri me dije se i është përgjigjur letrës së kryeministrit kosovar, ku shprehet se i ka bërë të qartë që sipas tij kjo thirrje është “sa për sy e faqe”.
“Unë i kam kthy një letër atij, i kam treguar që jam i interesuar me bisedu, ju kam drejtuar disa herë publikisht, por, ju nuk keni gjet kohë për një temë të cilën kam kontribu, pasi e keni marrë vendimin e keni thirr një takim sa për sy e faqe ky është më shumë se ofendim.”
Një ditë më parë, Haradinaj doli kundër vendimit të Albin Kurtit për të hequr pjesërisht taksën ndaj mallrave serbe.




