Subscribe

Kryetari i Komitetit të Punëve të Jashtme në Parlamentin Europian David Mcallister solli në Tiranë vullnetin e eurodeputetëve për nisjen e bisedimeve për anëtarësim për Shqipërinë dhe Maqedoninë.

 

Pas takimeve me presidentin Meta, kryeministrin Rama, kryeparlamentaren Nikolla e kryetaren e Komisionit të Integrimit Jorida Tabaku, Mcallister deklaroi për gazetarët se Shqipëria i ka plotësuar detyrimet.

 

DAVID MCALLISTER
KRYETAR I KOMITETIT TE PUNEVE TE JASHTME

“BE nuk ka kohë për të humbur për hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, pasi të dy vendet i kanë plotësuar kushtet. Ne shprehim solidaritet me qytetarët shqiptarë dhe e kuptojmë frustrimin e tyre për vonesat e pajustifikuara të shkaktuara nga probleme dypalëshe.”

 

Përveç detyrimeve që duhet të përmbushë Brukseli, Mcallister u ndal te progresi që duhet të bëjë Shqipëria, duke nënvizuar rëndësinë që ka opozita për vendin.

 

“Nuk mund të ketë progres pa një opozitë të fortë dhe konstruktive.”

 

Ky është momenti i vetëm kur Mcallister përmendi opozitën. Edhe pse është deputet i CDU dhe zëvendëspresident i Partisë Popullore Evropiane pjesë e të cilës është PD, Mcallister shmangu komentet për zhvillimet brenda PD dhe zgjedhjen e Sali Berishës në krye të saj.

 

“Unë jam këtu si kreu i Komitetit Parlamentar për çështjet e jashtme, dhe nuk është vendi për të komentuar zhvillimet brenda PD. Javën tjetër ne do kemi një takim të PPE në Roterdam dhe atje mes shumë çështjesh do diskutojmë edhe për PD.”

 

Për herë të parë Partia Popullore Evropiane në takimin e Roterdamit nuk ka ftuar asnjë përfaqësues të PD. Në situatën ku ndodhet Partia Demokratike, PPE ka ftuar Jorida Tabakun në cilësinë e kryetares së Komisionit të Integrimit dhe Belind Këlliçin e Albana Vokshin si kryetare të forumit rinor dhe forumit të gruas.

 

Në Roterdam do të jetë edhe një demokrate tjetër, Majlinda Bregu, por ajo është si sekretare e përgjithshme e Këshillit të Bashkëpunimit rajonal.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *