Çështja e zëvëndëskryeministres Belinda Balluku, po vë në testim Shqipërinë sa i përket luftës kundër korrupsionit. Këtë qëndrim mbajti Kryetari i Komisionit të Jashtëm të Parlamentit Europian, David McAllister, i cili theksoi se në këto momente parlamenti nuk mund të mbajë një qëndrim konkret.
“Unë nuk jam në pozicionin për ta komentuar. Por kjo nuk është thjesht një çështje ligjore por edhe përgjegjësi politike që duhet të zgjidhet nga qeveria shqiptare. Siç thashe nuk jam në pozicion për të komentuar një çështje specifike por mund të them se çështja e zevendeskryeministres Belinda Balluku është një test kritik në punën e Shqipërisë dhe luftës kundër korrupsionit”, tha David McAllister.
Sa i përket nismës së qeverisë për ndryshime ligjore që frenojnë pezullimin e ministrave, ambasadori i BE-së në Tiranë, Silvio Gonzato, u shpreh se Brukseli po ndjek me vëmendje hapat e ndërmarrë.
“Ne ndjekim me vëmendje çdo rrugë që merret sa i përket sundimit të ligjit. Jo vetëm sepse jemi të merakosur për përputhjen me legjislacionin europian, por edhe sa i përket reformës në drejtësi”, tha Gonzato.
McAllister komentoi edhe polarizimin politik në vend, ndërsa kritikoi protestat e opozitës.
“Jemi të shqetësuar për polarizimin politik në Shqipëri dhe bëjmë thirrje për dialog. Duam që Kuvendi të përfshijë opozitën dhe që vetë opozita të jetë më e përfshirë në punën e Kuvendit. Protestat e dhunshme nuk janë zgjidhje dhe nuk kanë vend në një demokraci funksionale”, tha McAllister.
Ai kërkoi gjithashtu një reformë zgjedhore gjithpërfshirëse.
“Dëshirojmë të shikojmë një reformë reale zgjedhore dhe që të jetë gjithpërfshirëse, me përfshirje të opozitës, si dhe adresimin e plotë të rekomandimeve të ODIHR”, tha Mcallister.
Më herët, kryetari i komisionit të jashtëm të PE, zhvilloi dhe një sërë takimesh me deputetë si nga mazhoranca ashtu dhe nga opozita.





