SPAK mbylli hetimet për çështjen e njohur si “Toyota Yaris”, dosje që çoi pas hekurave ish- kryeprokurorin e Vlorës, Aurel Zarka.
Magjistrati dyshohet se në bashkëpunim ka kryer korrupsion dhe ka ushtruar ndikim të paligjshëm për tetë çështje penale që po hetoheshin në katër prokurori të ndryshme, ku përfshihet edhe Dosja “Toyota Yaris”.
Sipas SPAK ai ka përdorur pushtetin për të ndërhyrë në disa hetime, duke hedhur hije dyshimi edhe mbi gjetjet e dala nga dosjet ku Zarka besohet se ka ndikuar vetë. Këto dosje lidhen kryesisht me aktivitete të krimit të organizuar dhe të kultivimit të narkotikëve.
Urdhërarreste janë lëshuar edhe për ish- oficeren e policisë gjyqësore, Eriona Dauti dhe për avokatin Radovan Çela, si dhe për biznesmenin Astrit Vladi. Por policia dështoi që t’i vinte para drejtësisë të tre të dyshuarit e tjerë të prokurorisë.
Avokatët respektivë të të pandehurve pritet të bëjnë kundërshtimin e akuzave brenda 10 ditësh, siç e parashikon ligji. Menjëherë më pas dosja do t’i dorëzohet Gjykatës së Posaçme, nëse do t’i nënshtrohet apo jo gjykimit në themel.
Më 31 korrik të këtij viti, e njëjta gjykatë la në qeli Kryeprokurorin e pezulluar Aurel Zarka, me vendim të Këshillit të Lartë të Prokurorisë.
Dosja “Toyota Yaris” u denoncua në parlament nga ish- kreu i PD, Lulzim Basha, që paralajmëroi se në portin e Durrësit do të vinin dy automjete ku ndodheshin 3.4 milionë euro. Dy ditë më pas shuma e madhe u zbulua pikërisht në Port./vizionplus.tv





