Në prag të 80-vjetorit të Çlirimit, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, së bashku me familjarë të veteranëve dhe nxënës të shkollës “Asim Vokshi”, mbollën 80 pemë të reja në Varrezat e Dëshmorëve.
“Jam vërtet mirënjohës që në këtë prag festash, të festës së Pavarësisë dhe të Çlirimit, gjejmë ende energji nga brezi i tretë për të mbjellë 80 pemë në prag të 80-vjetorit të çlirimit, për të kujtuar këto 80 vite dhe për të kujtuar se Tirana ka qenë kryeqyteti i vetëm i çliruar nga forcat e veta”, tha Veliaj.
Me mbjelljen e pemëve në këtë periudhë Bashkia e Tiranës ka nisur fushatën e përvitshme që synon krijimin e më shumë hapësirave të gjelbra për një qytet më të shëndetshëm.
“Më vjen mirë që sot bashkuam dy breza dhe filluam masivisht fushatën e mbjelljeve. Kemi pritur sa të fillojnë shirat dhe toka të jetë me lagështirë mjaftueshëm, që të jetë ideale për mbjelljet. Nga tani nuk do i ndahemi lopatës. Por, kur ka edhe kuptim, kur ka edhe simbolikë, dhe kur shikojmë që të dy brezat përqafojnë njeri-tjetrin, është një gëzim i jashtëzakonshëm. Qofshin të paharruar dëshmorët tanë. Më vjen mirë që me këto 80 pemë sot lamë një shenjë për të thënë se nuk harrojmë, se kujtojmë dhe se do përulemi gjithmonë me respekt”, tha kryebashkiaku.
Me rastin e festave të 28-29 nëntorit Bashkia e Tiranës ka përgatitur një agjendë të ngjeshur me aktivitete të shumta social kulturore.





