Mbi një mijë vatra zjarri në korrik, zjarrfikësit: Shumë prej tyre shpërthyen çuditërisht gjatë natës, ishin të qëllimshme
Korriku është konsideruar si muaji i ferrit, kjo për shkak të vatrave të zjarrit që shkrumbuan vendin në të 12 qarqet e Shqipërisë duke shkaktuar dëme të mëdha në banesa, pyje e kullota.
Statistikat tregojnë se deri më tani janë numëruar mbi 1500 vatra zjarri ku numrin më të madh e ka vetëm muaji korrik.
“Nga janari deri më tani janë mbi 1500 vatra zjarri në total, por vlen të përmendim që qershori dhe korriku kanë qenë muajt më kritikë për shërbimin zjarrëfikës. Vetëm në muajin korrik ka patur mbi 1157 vatra zjarri”, tha kreu i shërbimit zjarrfikës, Arben Cara.
Ndryshe nga vitet e tjera, beteja me flakët këtë vit nisi që në qershor. Nuk kanë munguar rastet që në këtë muaj të regjistrohen mbi 50 vatra në reja brenda 24 orëve.
“Këtë vit e filluam me muajin qershor si asnjëherë më parë ku temperaturat e larta dhe thatësira bënë të mundur që vatrat e zjarrit të jenë aktive dhe të shumta në numër. Shërbimi zjarrfikës ka përballuar mesatarisht vetëm në muajin qershor mbi 20-25 vatra zjarri në ditë. Më datën 28 qershor, mbaj mend që kemi patur mbi 52 vatra zjarri në të gjithë territorin e Republikës. Qarku më i prekur në këtë rast ka qenë Lezha me mbi 14 vatra zjarri” tha Cara.
Sipas Carës, në shumë raste ku zjarri ka marrë përmasa të frikshme, vatrat kanë shpërthyer natën. Të dyshuar për zjarrëvënie të qëllimshme blutë kanë arrestuar disa persona.
“E habitshme është që vatrat e zjarrit kanë ndodhur natën, gjë që ka bërë që të lindin dyshimet që këto vatra të jenë të qëllimshme. Ka mbi 100 persona të shoqëruar që dyshohen për zjarrvënie të qëllimshme dhe 20 persona të arrestuar”, tha Cara.
Dëmi i shkaktuar qoftë me dashje, apo nga pakujdesia është tejet i madh. Referuar shifrave, ndonëse për 2025 kemi thuajse dyfishin e vatrave të zjarrit krahasur me vitin e kaluar, hektarë të djegura janë më pak.
“Nga përllogaritjet që janë bërë, nga shërbimi zjarrëfikës si dhe nga Agjencia e Mbrojtjes Civile kemi rreth 29 mijë ha në total pyje, pemtrari, kullota të djegura deri tani. Në total kemi patur 827 zjarri për vitin 2024ku janë përllogaritur rreth 44 mijë ha në total të djegura”, tha kreu i shërbimit zjarrfikës.
Edhe në muajin gusht konsiderohet një risk i lartë për vatrat e zjarrit, megjithatë reshjtet që mund të bien gjatë këtyre ditëve, pritet të përmirësojnë situatën dhe të ulin ndjeshëm rrezikun për shpërthimin e vatrave të reja./vizionplus.tv




