10 mijë persona pritet të përfitojnë nga amnistia penale që është dërguar në Këshillin e Ministrave, por përjashtohen të hetuarit, të dënuarit dhe të paraburgosurit nga institucionet e posaçme. Këtë e bëri të ditur ministri i drejtësisë Besfort Lamallari në një dalje publike për mediat.
“Nga shifrat paraprake, duke përfshirë dhe procedimiet e 2024, numri i përfituesve është i lartë, 10 mijë persona që përfitojnë. 338 përfitojnë lirim të menjëhershme, 980 që përfitojnë ulje dënimi. Nuk përmban këto dënime. Për ne është e rëndësishme të mos krijojmë spekulime. Duke marrë parasysh edhe kontestin në të ciklën ndodhemi dhe mbështetjen që i kemi ofruar organeve të reja të drejtësisë, SPAK dhe GJKKO, kjo nuk përfshin persona në hetim apo gjykim nga GJKKO”, tha ministri i Drejtësisë Besfort Lamallari.
I pyetur për qëndrimin e qeverisë për mandatin e deputetes Belinda Balluku ai përgjigjet:
“Besoj që qëndrimi i mazhorancës ka qenë i qartë. Siç ju jeni të njohur, kryeministri ka ushtruar të drejtën e tij për të vënë në lëvizje Gjykatën kushtetuese, argumentet janë të paraqitura aty. Ku në thelb qëndron pretendimi i një pushteti, pra pushtetit ekzekutiv, për tejkalim të pushtetit, nga pushteti gjyqësor Këtu kemi të bëjmë edhe me pushtetin legjislativ, që konfirmon mandatin e ministrave, përfshirë. Kushtetuta përcakton qartë se ministrat gëzojnë imunitetin e deputetëve”.
Për dekriminalizmin e shpifjes, në mënyrë të pjesshme, Lamallari tha se nuk është direktivë e Bashkimit Europian dhe si e tillë nuk e penalizon anëtarësimin e vendit tonë në union.
“Shumica dërrmuese të vendeve të BE nuk e kanë të dekriminalizuar shpifjen. Ne jemi të përkushtuar për të çuar më tej reforma të tilla, që kanë të bëjnë me shtetin e së drejtës. Të mos i bëjmë gjërat të nxituar. Ky duhet të jetë veprim i matur, ky është hap pozitiv. Kjo nuk e ndikon rrugëtimin tonë në integrimin europian, për këtë kemi diskutuar me Komisionin Europian”, shtoi Lamallari.
Ndonëse debati për numin e lartë të të paraburgosurve ka qenë i hershëm, një vëmendje të veçantë ministri i kushtoi pikërisht kësaj kategorie duke thënë se prezumimi i pafajsisë nuk duhet të mbetet i shkruar në Kushtetutë por të ekzistojë në praktikë./vizionplus.tv





