Kryeministri Edi Rama mori pjesë sot në aktivitetin “Me fermerët në Shqipërinë 2030”, ku theksoi se mbështetja e qeverisë për sektorin e bujqësisë tashmë nuk është më simbolike, por e mbështetur në një buxhet të plotë dhe projekte konkrete.
Gjatë fjalës së tij, kreu i qeverisë nënvizoi se po vijon puna për përfundimin e projekteve të financuara nga Bashkimi Europian, me fokus modernizimin e administrimit dhe rritjen e standardeve në sektor. Rama bëri të ditur se do të finalizohet sistemi i integruar i administrimit dhe kontrollit, si dhe regjistrat kombëtarë të fermave dhe kafshëve.
Ai theksoi gjithashtu rëndësinë e përfundimit të laboratorëve të akredituar nga BE, duke shtuar se Shqipëria sot ka një nivel shumë më të avancuar të analizës dhe cilësisë, por se është e nevojshme mbyllja e plotë e të gjithë projektit.
“Kemi bërë hapa të mëdhenj, por duhet ta çojmë punën deri në fund. Do të shtyjmë fort për sistemin e shërbimeve këshillimore në terren dhe do të mbështetemi te Universiteti Bujqësor i Tiranës. Vit pas viti do të kemi gjithmonë e më shumë aftësi për të udhëhequr dhe orientuar sektorin në rrugën tonë të zhvillimit,” u shpreh Rama.
Sipas kryeministrit, këto masa synojnë ta bëjnë bujqësinë shqiptare më konkurruese, më të qëndrueshme dhe të përgatitur për sfidat e së ardhmes, në kuadër të vizionit “Shqipëria 2030”.





