Mbërritën sot në Shqipëri rreth 250 mijë e 700 fletë votimi të prodhuara në Slloveni për 245.808 votues të diasporës në zgjedhjet parlamentare të 11 majit.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve bëri me dije se sasia e dokumenteve është sistemuar pranë Parkut Olimpik të Tiranës “Feti Borova”, vendndodhje e përcaktuar edhe për administrimin dhe numërimin e votave të diasporës.
Nëpërmjet një statusi në Facebook kryekomisioneri Ilirjan Celibashi shkruan se fletët e votimit do të mbërrijnë së shpejti në adresat e emigrantëve të regjistruar në vendet respektive.
“Në Europë fletët e votimit do të mbërrijnë nga data 15 deri më 22 prill, ndërsa në kontinentet e tjera: nga data 15 deri më 25 prill. Pasi ta merrni, dërgojeni fletën e votimit në KQZ brenda 3 ditëve nga momenti i marrjes! Për këtë procedurë, nuk do të shpenzoni asgjë, Posta paguhet nga KQZ”, njoftoi Celibashi.
Nga kjo e hënë deri më datë 10 prill, KQZ do të filloj përgatitjen e zarfave dhe dokumentacionin që do t’u dërgohet votuesve, me objektivin e përfundimit brenda datës 17 prill.
Votuesi do të ketë në dispozicion 3 deri në 4 ditë kohë për të marrë, votuar dhe kthyer fletën pas, nëpërmjet operatorit postar.
Në setin e dokumentacionit, që do t’u dërgohet votuesve do të ketë edhe një udhëzues që sqaron qartësisht se çfarë duhet të bëjë votuesi nga jashtë.
Fletët e votimit do të dërgohen në 85 shtete./vizionplus.tv





