Përmes një deklarate në Facebook, Erion Veliaj, 100 ditë pas arrestimit të tij, shprehet se ndalimi është i padrejtë dhe pa asnjë bazë ligjore.
“Shumë të dashur miq! Sot bëhen 100 ditë nga burgimi im pa asnjë justifikim të arsyeshëm. Ndalimi im i padrejtë dhe arbitrar vazhdon, megjithëse nuk jam akuzuar për asnjë vepër penale”, shkruan Veliaj.
Veliaj thotë se mbetet i vendosur në përkushtimin ndaj qytetarëve. Ai siguron se do të ndjekë të gjithë rrugët ligjore për të siguruar lirimin e tij dhe për të vijuar detyrën si kryebashkiak.
“Po pengohem forcërisht nga ushtrimi i detyrave të mia si Kryetar i zgjedhur, me votë masive 3 herë, i Bashkisë së Tiranës. Vazhdimi i këtij paraburgimi nuk përbën vetëm një sulm ndaj meje dhe familjes sime, por është edhe një ndërhyrje e panevojshme dhe joproporcionale në përmbushjen e detyrave publike, që më janë besuar nga qytetarët e Tiranës. Pavarësisht burgimit mbetem i papërkulur. Çdo ditë që kalon, ma forcon edhe më shumë vendosmërinë. Angazhimi im ndaj Tiranës, ndaj jush, ndaj demokracisë, sundimit të ligjit dhe të ardhmes së Shqipërisë mbetet i palëkundur. Do të vazhdoj të ndjek të gjitha rrugët ligjore për të siguruar lirimin tim, në mënyrë që të vazhdoj t’i shërbej qytetit tonë të mrekullueshëm si kryebashkiaku juaj”, shkruan kryebashkiaku.
Një ditë më parë avokatët e kryebashkiakut të Tiranës iu drejtuan Gjykatës së Lartë me rekurs për ndryshimin e masës së sigurisë./vizionplus.tv





