Pasi kryeministri Edi Rama i vendosi në “tabelë qitjeje” bashkitë, me një valë kritikash dhe shkarkimesh për shkak të performancës jo të mirë, pushteti vendor do të reformohet dhe trajnohet.
Këshilli i Ministrave ka vendosur të krijojë Akademinë e Pushtetit Vendor, që do të jetë në dorë të ministrit përgjegjës për bashkitë, i cili do të nënshkruajë marrëveshje me njësitë e vetëqeverisjes vendore dhe do të ketë për detyrë aftësimin e stafeve.
“Kjo strukturë do të ketë detyrë të bëjë praktikat më të mira. Marr shembull Bashkinë e Përmetit që ka një histori shumë të madhe suksesi në raport me projekte të BE-së. Do të thotë që kanë krijuar një kapacitet dijesh shumë të mirë. Ne do të marrim stafin e kësaj bashkie dhe do të themi: dëgjo, veç punës që bëni, na ndihmoni të trajnojmë stafet e bashkive të tjera. Kemi stafe në bashki të tjera që bëjnë punë të ndryshme, menaxhojnë mirë financat, p.sh., le të trajnojnë stafet e tjera në bashki të tjera. Të marrim aftësitë e tyre dhe t’i shpërndajmë në të gjithë territorin. Kjo krijon shkëmbim eksperiencash dhe aftësim mes vetë bashkive. Së dyti, na krijon një mekanizëm që mund të marrë praktikën më të mirë evropiane. Po bashkëpunojmë edhe me qeverinë zvicerane, me atë suedeze e holandeze. Kemi bërë partneritet për të marrë praktikat më të mira, kurrikulat më të mira dhe për të aftësuar stafet teknike.”, tha Arbjan Mazniku.
Ministri Mazniku sqaron se kjo akademi do të ketë anëtarë si nga bashkitë, ashtu edhe nga qeveria. Edhe financimi i saj do të jetë i përbashkët.
“Kemi të bëjmë me një sistem që qeveriset në mënyrë të përbashkët nga bashkitë dhe qeveria. 61 bashkitë do të kenë gjysmën e anëtarëve të bordit në Akademi dhe qeveria do të ketë gjysmën tjetër të anëtarëve. Edhe financimi do të jetë i ndarë përgjysmë: gjysmën bashkitë dhe gjysmën qeveria. Kjo strukturë do të ketë detyrë të bëjë praktikat më të mira.”
Akademia e Pushtetit Vendor nuk do të jetë një strukturë e përkohshme.
“Kjo akademi duam të funksionojë në mënyrë permanente. Stafet e bashkive kanë nevojë gjithmonë për trajnime. Kemi të bëjmë me thuajse 26 mijë njerëz që janë të përfshirë në pushtetin vendor, në nivele të ndryshme. Të gjithë kanë nevojë për trajnime periodike. Stafet e pushtetit vendor kanë edhe një nivel të lartë ndërrimi – rreth 13% e totalit të njerëzve lëvizin nga puna çdo vit. Kjo do të thotë që vijnë njerëz të rinj në punë dhe duhet të aftësohen për punën e tyre.”
Paralelisht me këtë iniciativë të qeverisë, bashkitë në vend kanë shpallur vende të lira pune për pozicione të ndryshme, me qëllim për të përmirësuar transparencën, efikasitetin dhe cilësinë e shërbimeve lokale.
/vizionplus.tv





