Vetëm pak ditë na ndajnë nga fillimi i provimeve të maturës dhe kjo periudhë duket se po përjetohet me stres nga maturantët. Në gjimnazin “Sami Frashëri” nxënësit tregojnë se janë nën ethet e testimit të njohurive, që shoqërohet me ankth dhe frikë.

 

 

Krahas kësaj, ata pohojnë se pasiguritë që kanë vijnë edhe për shkak të situatave të ndryshme që ka kaluar vendi ynë, si tërmeti i 26 nëntorit të vitit 2019 dhe pandemia që i detyroi të bëjnë mësim online.

 

 

Maturantët i drejtohen punonjësit social dhe psikologut të shkollës duke zhvilluar orë të posaçme me këshilla dhe konsulta.

 

 

Psikologja e gjimnazit “Sami Frashëri”, Irena Çela tregon se në këtë periudhë ka një fluks të shtuar të nxënësve që kërkojnë ndihmën e saj për të përballuar emocionet, stresin dhe panikun që krijojnë provimet e maturës. Sipas saj, kjo është një situatë e pashmangshme dhe normale.

 

 

Mësuesja Mirela Vide nënvizon se stres kanë jo vetëm maturantët, por edhe vetë arsimtarët që përpiqen që nxënësit e tyre të dalin me rezultate sa më të mira, në mënyrë që të kapin degët e tyre të preferuara në universitet.

 

Për menaxhimin e frikës së provimeve Vide tregon se është bërë një punë intensive parapërgatitore me konsultime dhe provime, në mënyrë që nxënësit të mësohen me idenë e testimit.

 

Provimi i parë i maturantëve është ai i gjuhës angleze më 9 qershor, më pas ai i gjuhës shqipe dhe letërsisë më 11 qershor, provimi i matematikes me 17 dhe me datë 24 lënda me zgjedhje.

 

Testi i maturës do të ketë në total 60 pikë, 20 prej të cilave do jenë për pyetje me alternativa ndërsa 40 për pyetjet me zhvillim. Maturanti do të jetë kalues nëse merr minimumi 25 % të pikëve të testit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *