Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike ka ngritur alarmin për mashtrimin e radhës në rrjetet sociale nga një platforme e rrezikshme që ka tiparet e një skeme piramidale online.
Aplikacioni i quajtur TXEX, është i ngjashëm me ato që janë goditur edhe më parë nga autoritetet. Skema është thuajse e njëjta: investime online përmes kriptovalutave, me premtimin e dyfishimit të shumës Brenda një kohe të shkurtër. Ky premtim duket se ka joshur qytetarët që kanë rënë pre e mashtrimit.
Lexo edhe :
Sipas Autoritetit për Sigurinë Kibernetike, kjo platformë nuk është e regjistruar, as e licencuar në Shqipëri dhe funksionon plotësisht jashtë çdo kuadri ligjor.
Platforma shpërndan reklama të rreme dhe përdor grupe të fabrikuara komunikimi në aplikacione si Telegram, WhatsApp dhe Signal, ku shfaqen fitime për të krijuar një idenë e suksesit dhe besueshmërisë tek viktimat e radhës.
Pasi qytetarët joshen nga fitimet e premtuara, aplikacioni u kërkon të dhënat personave dhe regjistrimin e dokumenteve dhe transakioneve ku në këtë mënyrë ata kanë rënë pre e vjedhjes së identitetit apo të dhënave të tyre personale dhe bankare.
Përveç TXEX janë dhe 2 platforma të tjera të ngjashme XUEXA dhe Grokrexduu, për të cilat institucionet kanë marrë masa urgjente për bllokimin e aktivitetit të këtyre faqeve mashtruese.
Nuk dihet saktësisht sa shqiptarë janë mashtruar, kjo sepse deri më tani në Policinë e Shtetit nuk ka asnjë denoncim. Por, Drejtoria kundër krimeve Kibernetike ka nisur verifikimet për të zbuluar se kush qëndron pas kësaj skeme mashtrimi.
/vizionplus.tv






