Komisionerja e Bashkimit Europian për Zgjerimin, Marta Kos, deklaroi se në qershor përfundon afati për zbatimin e disa reformave kyçe, të vendosura si kusht për integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE.
Gjatë një konference të përbashkët me kryeministrin Edi Rama, Kos përshëndeti gazetarët dhe qytetarët në gjuhën shqipe.
“Përshëndetje të dashur gazetarë dhe të dashur miq!”, e nisi fjalimin Koss.
Ajo theksoi se të gjithë vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të ecin në sinkron drejt anëtarësimit me të drejta të plota në BE, duke nënvizuar rëndësinë e përfundimit të reformave deri në qershor për të mos vonuar procesin.
“Tashmë kemi arritur në mes të periudhës 4 vjeçare të Planit të Rritjes dhe faleminderit i nderuar kryeministër që e keni bërë të mundur që ne të diskutojmë në këtë nivel me këtë plan rritjeje që është kaq i rëndësishëm për vendet e Ballkanit perëndimor, që ti ndihmojë ato të ecin përpara. Unë e kam kënaqësi gjithmonë që kthehem në Tiranë shpesh për takime dypalëshe apo në këtë rast për takime me vendet e Ballkanit perëndimor për të mbështetur jo vetëm ecurinë e Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE, sepse unë ndjej angazhimin tuaj, por edhe angazhimin e të gjitha vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor. Sot kemi patur diskutime të hapura mbi mënyrat e ndryshme për të përshpejtuar zbatimin si dhe për ta bërë planin e rritjes një histori suksesi që sjell rezultate për të gjithë qytetarët e Ballkanit perëndimor
Folëm gjithashtu dhe për nevojën për të zgjeruar vetë nocionin “e zgjerimit”, pra është e vërtet që zgjerimi është shumë më shumë sesa thjesht zgjerim, por mbi të gjitha për t’ju integruar të gjithë ju sa më shpejt që të jetë e mundur në gjithnjë e më shumë fusha të politikave të BE-së, jo vetëm në tregun e përbashkët të BE por edhe në tregun tonë të energjisë, në zinxhirët tanë europian të vlerës. Për shembull vetëm javës së shkuar Kolegji miratoi mburojën e demokracisë dhe strategjinë për shoqërinë civile që si në vendet kandidate ashtu dhe shtetet anëtare të BE të trajtohen si të barabarta.
Unë jam krenare për këtë dhe ne do të shkojmë edhe më tej, duke ju përfshirë në përpjekjet tona për të mbrojtur demokracinë dhe vlerat tona. Duam që BE të bëhet një realitet i prekshëm në vendet tuaja që sot që të sjellë begati, siguri dhe stabilitet për të gjithë ne.
Në disa fusha kjo gjë tashmë po merr formë. Shqiptarët, malazezët dhe maqedonasit e veriut tashmë përfitojnë nga kosto më të ulëta të transaksioneve falë SEPA, por objektivi ynë është që të gjithë ju, të gjithë vendet e Ballkanit Perëndimor të ecin përpara në sinkron dhe nuk duam të krijohen hendeqe të reja mes jush, gjashtë vende tuaja sepse në fund të fundit të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor i përkasin BE. Pra duhet të jenë pjesë e tij dhe të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të bëhen shtete anëtare me të drejta të plota dhe e theksoj dhe një herë me të drejta të plota të BE si shpërblim i merituar për përafrimin e plotë me legjislacionin e BE-së dhe akoma dhe më e rëndësishmeje me vlerat e BE-së. Pra le të përqendrohemi sot, tek mënyra sesi mund të përshpejtojmë punën në pjesën e dytë.
Ne, kemi një afat veçanërisht të rëndësishëm që po afron. Në qershor ne do të kemi skadimin e periudhës tranzitore 1 vjeçare për reformat e papërmbushura nga raundi i dytë i raportimit dhe për këtë arsye i bëj thirrje të gjithë udhëheqësve të rajonit që të punojnë akoma më fort për reformat. Gjithashtu, ne kemi arritur dhe shumë për sa i përket tarifave roaming për shembull, por ne nuk kemi më tarifa shtesë për thirrjet ndërkombëtare brenda BE. Pse duhet të keni ju? Dhe për këtë duhet të punojmë akoma dhe më shumë që të kemi përshpejtim të përafrimit me rregullat e BE-së.
Sa i përket korsive të gjelbra, zbatimi është në vijim. Vitin e kaluar ne ramë dakord për 11 pika të përbashkëta kalimi ndërmjet BE-së dhe Ballkanit perëndimor dhe 5 pika të tilla brenda për brenda Ballkanit perëndimor pra ndërmjet vet vendeve të rajonit. Dhe sot siç e patë, Komisioni dhe Banka Botërore shkëmbyen një letër angazhimi që angazhon të gjithëve ne që të ecim përpara më shpejt me fazën e dytë të programit “transporti i sigurt dhe i qëndrueshëm”, që të zhbllokojmë projekte për të përmirësuar infrastrukturën e transportit, novacionin digjital, mbrojtjen e konsumatorit dhe turizmin se kjo do sjellë përfitime jo vetëm për qytetarët por edhe për bizneset.
E di që ndonjëherë reformat për të cilat ne kemi rënë dakord së bashku nuk janë gjithnjë të lehta po ato bëjnë të mundur përshpejtimin e negociatave të anëtarësimit të BE-së si dhe përgatisin ekonomitë tuaja për tregun e përbashkët dhe ashtu siç keni ju dëshirë të na thoni shpesh, ky është një proces shndërrimi, pra transformues dhe sjell rezultate të mëdha.
Ky proces sjell dhe mundësi të reja duke bërë të mundur që ju të trajtoheni si shtet anëtar në disa prej politikave të BE-së plus që ju tregon dhe vendeve anëtare se ju jeni gati për më shumë, por dhe për integrim më të thelluar në BE.
Gjithashtu, ne diskuam edhe sesi mund të tërheqin më shumë investues të huaj instrumentet tona. Për shembull ajo që ne presim është që sa më shumë i afrohen BE-së vendet e Ballkanit Perëndimor dhe siç e dini ju, e përshkruajmë Shqipërinë dhe Malin e Zi si vende pararojë, sa më shumë të afroheni dhe e dimë këtë dhe në të shkuarën, aq më shumë kureshtarë bëhen qytetarët e shteteve anëtare, por gjithashtu dhe investuesit e huaj janë më të gatshëm të vijnë këtu.
Presidentja e komisionit Ursula Von der Leyen më tha për shembull që ka qenë këtu edhe në konferencën e investimeve që u bë në Shqipëri dhe me të vërtete sa mbresa i kishin lënë asaj të gjitha diskutimet që u bënë në këto konferenca, por edhe mua fakti që dëgjova sot prej jush dhe përgëzime që do të organizoni një konference tjetër investimesh. Përse është kjo e rëndësishme? Sepse është thelbësore për të bërë realitet konvergjencën tuaj ekonomike me vendet e BE.
Në fund më lejoni të them që na mbeten dhe dy vite të tjera që Plani i Rritjes të bëhet dhe të kthehet në një sukses të vërtetë si dhe të përgatisim terrenin për anëtarësimin tuaj në BE. Do duhet ta shfrytëzojmë çdo ditë që të punojmë për të ardhmen europiane të Ballkanit Perëndimor.
Faleminderit!”, tha Kos.
/vizionplus.tv





