Presidenti i SHBA-ve Joe biden i ka dërguar presidentes Vjosa Osmani një letër urimi për 16-vjetorin e pavarësisë së Republikës së Kosovës. Kreu i Shtëpisë së Bardhë nënvizon miqësinë dhe partneritetin e ngushtë me Prishtinën.
“Shtetet e Bashkuara mbështesin fuqishëm Kosovën multietnike dhe integrimin e saj në institucionet evropiane dhe euroatlantike”, shkruan Biden.
Më tej presidenti inkurajon përpjekjet për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse me Serbinë përmes procesit të dialogut.
“Krahas kombeve në të gjithë rajonin dhe në mbarë botën, Shtetet e Bashkuara inkurajojnë lidershipin e Kosovës që të përmbushë të gjitha obligimet e saj, duke përfshirë të gjitha marrëveshjet e kaluara të arritura përmes këtij procesi”, shprehet presidenti.
Pak ditë më parë, presidenti Biden bëri të njëjtën kërkesë ndaj Serbisë me qëllim normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve. Megjithëse nuk është pjesë, SHBA mbështet fuqimisht dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Europian.
Vitin e kaluar Prishtina dhe Beogradi pranuan propozimin europian, i cili ndër të tjera parashikon njohjen e Kosovës si shtet i pavarur dhe formimin e bashkësisë së komunave me shumicë serbe, por sërish nuk pati rezultat. Kosova kërkon me ngulm firmosjen e marrëveshjes, ndërsa Serbia kërkon zbatimin e saj pa e nënshkruar. /vizionplus.tv





