Pak ditë para nisjes së parlamentit dhe mandatit të tretë të PD në opozitë Mark Marku, ka deklaruar largimin nga të gjitha forumet drejtuese të partisë demokratike, duke dorëzuar edhe mandatin e deputetit.

 

Marku, i cili drejtoi betejën elektorale të PD në qarkun e Lezhës, ka bërë një sqarim të gjatë pse nuk mund të jetë pjesë e grupit parlamentar të partisë demokratike, duke artikuluar akuza të ashpra ndaj kryetarit Lulzim Basha.  Sipas tij, në vend që PD të rithemelohej  e të ndryshonte, ajo po shndërrohet në një parti dekori të një sistemi të degraduar.

 

“Për të qenë i lirë, i pakushtëzuar dhe i pakompromentuar në opozitarizmin tim vetjak, nuk do të jem as pjesë e Këshillit Kombëtar dhe as deputet në Kuvendin e Shqipërisë”

 

Marku ka deklaruar se PD vazhdon rutinën e humbësit; duke nisur nga reagimi i saj ndaj procesit te 25 prillit, tek rizgjedhja e Bashës në krye të PD e deri tek kuvendi kombëtar. Në ketë kuvend, Marku ishte i vetmi zë kritik ndaj Lulzim Bashes dhe aksionit te tij opozitar. Por  sipas Markut, Basha është thjesht një kryetar i partisë së Berishës.

 

 

“Nuk mund të bëhem pjesë e një force politike që nuk ka as vetëdijen më minimale për gjendjen ku ndodhet dhe që nuk ka as përgjegjësinë më të vogël për fatin e mbështetësve të vet apo të gjithë shoqërisë. Kam bindjen (shpresoj të jetë e gabuar) që duke vazhduar rutinën e humbësit, PD po humb një shans historik, të fundit, për të ndryshuar veten dhe shoqërinë. Kështu si po vepron, PD po shndërrohet në një parti që mbron interesat personale të dy liderëve të vet, Berishës dhe Bashës.”

 

Marku ka qenë deputet i PD në vitet 2009-2013. Ai u afrua sërish me PD vitin e kaluar, kur Basha e caktoi në komisionin që përzgjodhi kandidatët për deputet. Në fillim të këtij, viti Basha e vendosi Mark Markun të parin në listën e kandidatëve për deputet në qarkun e Lezhës. Mandatin e Markut e merr Elda Hoti. Hoti është një prej deputeteve që mori mandatet që dogji opozita në vitin 2019. Ajo ishte pjesë e listës së LSI, dhe mori mandatin e kësaj force politike. Në 25 prill Lulzim Basha vendosi ta kandidojë në listën e PD, dhe Elda Hoti e cila deri një vit më parë akuzohej nga opozita si tradhtare, do të jetë deputete e partisë demokratike.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *