Subscribe

Orkestra filarmonike më e vjetër dhe më e famshme greke ”Mantzaros” ofroi një spektakël mesditën e kësaj të premteje në sheshin “Skëndërbej”, përmes një koncerti të organizuar në ditën kombëtare të Greqisë.

 

Në 200-vjetorin e revolucionit, Banda e Korfuzit në bashkëpunim me bashkinë e Tiranës, dhuroi tinguj të veçantë përmes instrumenteve frymore dhe membranofone, origjina e të cilëve daton që në mesjetë.

“Shoqëria Filarmonike e Korfuzit” interpretoi këngë të përzgjedhura greke që krijuan një atmosferë ndryshe e që mbajtën mbërthyer shumë qytetarë.

Maestro i bandës ”Mantzaros”, Sokratis Anthis tregon për Vizion Plus se marrëdhënia mes Shqipërisë dhe Greqisë është e fortë dhe se përcjellja e mesazheve me fokus demokracinë është e rëndësishme.

 

SOKRATIS ANTHIS
MAESTRO

Faleminderit Ambasadës Greke në Tiranë dhe Bashkisë Tiranë që na lejuan të performojmë sot në ditën kombëtare të Greqisë. Sot patëm një program të tërë, një concert që jepet rrallë nëpër të gjithë botën. Mesazhi kryesor është se liria dhe demokracia janë çështje që janë pjesë e objektivave të përbashkëta shqiptaro-greke. Marrëdhëniet mes dy shteteve janë shumë të mira.

 

Anthis shton se vizitat në Tiranë nuk do të mungojnë edhe në muajt e vitet në vazhdim.

 

SOKRATIS ANTHIS
MAESTRO

Ne kemi qenë edhe herë të tjera këtu dhe jemi të mrekulluar. Kemi shumë ftesa nga drejtues të ndryshëm bashkish dhe institucionesh dhe i përgjigjemi pozitivisht patjetër.

 

Godina e Akademisë së Arteve do të ndriçohet me ngjyrat e flamurit grek. Ndërkohë, për ditën e pavarësisë së Greqisë festimet do të vijojnë më tej në katedralen Ortodokse.

 

Lufta Greke e Pavarësisë, e njohur gjithashtu si Revolucioni Grek i 1821 shënoi fitoren e revolucionarëve grekë kundër Perandorisë Osmane. Prej 2 shekujsh, 25 marsi është kthyer në një festë kombëtare.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *