Qeveria ka nisur prej kohësh diskutimet me Bankën Botërore për të reformuar skemën e pensioneve. Ende nuk ka një draft konkret se si do të konkludohet, por deri më tani ka disa qëndrime të qeverisë lidhur me skemën. Olta Manjani, zyrtarja që kryeson grupin e punës, gjatë një interviste për Vizion Plus argumentoi pse qeveria është kundër vendosjes së një pensioni dysheme prej 200 euro.
“Ne jemi kategorikisht kundër një mase të tillë. Nëse do të vendosej një pension dysheme pavarësisht shumës së tij, atëherë një individ që ka 10 vite punë do të barazohej me një individ që ka 20 vite punë. Një masë e tillë do të prishte parimin e skemës, që kush kontribuon më shumë do të përfitojë dhe një pension edhe më të lartë”, tha Manjani.
Një tjetër qëndrim i qeverisë është edhe mosha e daljes në pension. Sipas qeverisë nuk do të rritet mosha e daljes në pension përtej 67 vjeç.
“Ne edhe pse na e ka kërkuar BB, e kemi kundërshtuar këtë opsion. Njëkohësisht jemi kundër rritjes së masës së kontributeve. Në diskutimet tona ne do të ruajmë parimin, kush paguan më shumë vite kontribute do të përfitojë më shumë pension. Ky do të jetë parimi që do të ruhet në çdo rast”, tha Manjani.
Por çfarë ka në plan qeveria të bëjë me skemën e pensioneve?
“Një nga opsionet që jemi në diskutim është që në 2056 është viti kur barazohet mosha e daljes në pension 67 vjeç si për burrat dhe për gratë. Ne po mendojmë që ketë afat ta përshpejtojmë. Një tjetër opsion ku jemi fokusuar është edhe vjetërsia minimale për të përfituar një pension si dhe te mosha e përftimit të pensionit social”, sqaroi Manjani.
Negociatat me BB për reformimin e skemës do të mbyllen në gjysmën e parë të viti të vjen./vizionplus.tv





