Qyteti që mirëpriti 50 delegatët e kongresit të alfabetit, sot mjerueshëm duket se e ka braktisur gjuhën shqipe. Në shkollat e mesme të Manastirit, nxënësit shqiptarë nuk munden të marrin mësim në gjuhën amtare. Besjona Jusufi, maturante në një nga gjimnazet e qytetit rrëfen se është e detyruar të mësojë në gjuhën maqedonase.

 

BESJONA JUSUFI

NXENESE

 “Pas shkollimit fillor drejtohemi kah dyert e shkollave te mesme dhe gjimnazeve ku mbahet mësim vetëm në gjuhën maqedonase, kjo është për ne sfidë shumë e madhe. Mundohemi të jemi të barabartë me të tjerët në një rrethinë krejtësisht të pazakontë dhe të re. Sidomos, viti i parë është një vit shumë i ndërlikuar dhe i mbushur me pengesa. Unë jam e vetme në klasë, e vetmja nxënëse shqiptare madje edhe në gjeneratë. Në asnjë shkollë të mesme në Manastir nuk ka paralele shqipe. Më vjen aq shumë keq që nuk e kam edhe gjuhën shqipe si lëndë mësimore në shkollimin tim.”

 

Pavarësisht rrethanave, Besjona e ka të qartë qëllimin për të studiuar gjuhën mëmë.

 

“Shoh të bëj maksimumin tim për të ruajtur gjuhën shqipe dhe për të mos e harruar kurrë. Kam plane të mëtutjeshme për albanologjinë dhe shpresoj të më përmbushet kjo dëshirë. Gjithashtu kam lexuar edhe shumë vepra në shqip. Të preferuarat e mia kanë qenë të Ismail Kadaresë dhe të shumë shkrimtarëve të tjerë shqiptarë dhe rilindësve shqiptarë. Gjithashtu, lexoj edhe poezi bashkëkohore shqiptare te cilat më nxisin që akoma më shumë të vazhdoj të shkruaj”

 

Dashurinë për shqipen, Besjona e ka jetësuar në vargje e përmbledhje të saj poetike. Shpeshherë ata që duan të mësojnë në gjuhën amtare shpërngulen nga vendbanimi i tyre.

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *