Policia e Mallakastrës ka finalizuar me sukses një tjetër fazë të operacionit të koduar “Koordinata”, i cili synon parandalimin dhe goditjen e rasteve të kultivimit të bimëve narkotike në zonat rurale.
Gjatë kontrolleve të kryera në fshatin Çërrilë, shërbimet e Komisariatit të Policisë Mallakastër zbuluan një parcelë me 1881 fidanë të dyshuar cannabis sativa, të cilët u asgjësuan në vend me anë të djegies.
Gjatë operacionit u kapën në flagrancë duke ujitur fidanët dy persona, të cilët u arrestuan menjëherë. Bëhet fjalë për A. S., 53 vjeç, banues në Greshicë dhe E. Sh., 34 vjeç, banues në Çërrilë, të dy të dyshuar për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”.
Ndërkohë, për këtë rast është proceduar penalisht edhe kryeplaku i fshatit Çërrilë, shtetasi I. S., 63 vjeç, për akuzën e “Shpërdorimit të detyrës”.
Në vijim të hetimeve, është proceduar penalisht edhe shtetasi M. Z., 44 vjeç, banues në Ballsh, në banesën e të cilit gjatë kontrollit u sekuestruan një armë sportive, 12.400 euro, 400 paund dhe rreth 900.000 lekë të reja, që dyshohen se janë të lidhura me aktivitetin kriminal.
Policia ka njoftuar se hetimet vijojnë për identifikimin dhe arrestimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari të paligjshme.
/vizionplus.tv





