Në zonën e Malësisë së Madhe, në veri të Shqipërisë, sektori i bujqësisë është përqendruar kryesisht në kultivimin, grumbullimin dhe përpunimin e bimëve aromatiko-mjekësore për eksport.
Më shumë se 4 mijë familje punojnë në këtë sektor duke rezultuar në mbiprodhim krahasuar me kërkesën e tregut, prandaj specialistët e këtij sektori po vënë theksin në nevojën për të zgjeruar prodhimin edhe me kultura të tjera.
Kushtëzuar nga terreni malor e kodrinor i kësaj zone, banorët i janë drejtuar më së shumti aktivitetit në sektorin e bimëve mjekësore, prej të cilit arrijnë të sigurojnë edhe të ardhura të mjaftueshme pasi, këto prodhime shkojnë kryesisht për eksport në tregjet perendimore dhe të SHBA-së.
Në këtë zonë falë edhe investimeve me mbështetjen e Qeverisë Shqiptare janë ngritur 4 qendra të mëdha të grumbullimit të bimeve mjekësore, të cilat garantojnë rritjen e kapaciteteve të ruajtjes dhe depozitimit të tyre brenda standardeve bashkëkohore.
Por ekspertët e fushës konstatojnë se, përqendrimi i familjeve të zonës vetëm në këtë lloj aktiviteti, ka shtuar me ritme të shpejta sasinë e prodhimit të bimëve aromatike mjekësore me kapacitete më të mëdha seç është thithja e tregut të eksportit. Kjo sipas tyre, ka ndikuar në uljen e çmimit të shitjes së bimeve aromatike, krijimin e stoqeve dhe vështirësive ekonomike të familjeve fermere.
Vetëm vitin e kaluar në këtë zonë u prodhuan mbi 20 mijë ton sherebel. Ndërsa shifra të konsiderueshme shënoi edhe prodhimi e grumbullimi i bimës së Levantos.
Sot në kushtet e ngopjes së tregut me këto bimë, fermerët po orientohen në kultivimin e bimëve të tjera aromatizuese -mjekësore si rigoni, trumza etj, bimë këto që e kanë të garantuar tregun e eksporteve drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe vendeve të tjera të Evropës Perëndimore.
Ekspertët shprehen se, një mbështetje e madhe për zgjerimin e gamës së prodhimit në këtë sektor është edhe adresimi këtë vit, i subvencioneve të qeverisë, në drejtim të bimëve aromatike-mjekësore, ku pritet të shënohen tregues pozitiv gjithëpërfshirës.





