Ministri i Financave, Petrit Malaj u bëri apel tregtarëve që tregtimi i produkteve të bulmetit dhe të mishit të shoqërohet gjithmonë me faturë fiskale.
Malaj u ndal në dy biznese në Lushnje për t’i ndërgjegjësuar për aksionin e nisur nga qeveria që në momentin që marrin produktet nga fermerët, të sigurohen të pajisen me faturë, jo vetëm për të formalizuar tregun, por edhe për të garantuar sigurinë ushqimore.
“Duhet të kuptohet që nëpërmjet faturës ne jemi në gjendje të bëjmë një gjurmueshmëri të produktit nga ferma, te tregtari e deri te tryeza e konsumatorëve. Ju bëj thirrje të gjithë tregtarëve me pakicë që të fillojnë dhe të sigurojnë faturat e tyre të blerjeve për çdo mall që ata blejnë”, tha ministri Malaj.
Prej datës 14 korrik, inspektorët e Tatimeve janë duke kryer kontrolle në terren për të evidentuar rastet kur produktet blegtorale tregtohen pa faturë. Sipas të dhënave nga Administrata Tatimore, janë inspektuar 87 subjekte dhe janë bllokuar 20 ton mallra, që janë gjetur pa faturë.





