Një aksident i rëndë është shënuar pasditen e kësaj të enjteje në rrugën e Arbrit mes dy lagjeve të qytetit të Bulqizës. Një automjet tip Touran është përplasur me këmbën e urës që lidh dy lagjet e qytetit.
Përplasja ka qenë shumë e fortë, ku automjeti është dëmtuar shumë. Siç duket nga pamjet, goditja e ka qenë e fuqishme duke bërë që gjysma e makinës të skatërrohet thuajse totalisht.
Në automjet mësohet se ndodhej vetëm shoferi i cili është transportuar për në spitalin e Bulqizës për të marrë ndihmën e parë.
Ndërkohë, burime pranë bluzave të bardha thanë se 29 vjeçari L.Q ndodhet në gjendje të rëndë dhe pritet të bëhet transportimi i tij për në spitalin e Traumës në Tiranë për mjekim më të specializuar. Grupi hetimor ka mbërritur në vendin e ngjarjes dhe ka nisur hetimet.
Kho nuk është hera e parë që automjetet përplasen me këmbën e urës që lidh dy lagjet e qytetit të Bulqizës. Duke qenë se rruga është e drejtë dyshohet se automjetet lëvizin me shpejtësi por humbin kontrollin kur ka prani të lagështisë në rrugë si pasojë e prezencës së borës.