Makina bllokohet në mes të dëborës në malin e Tomorit, Policia i vjen në ndihmë familjes

Dëbora ka zbardhur ditën e sotme shumë qytete të vendit tonë, përfshirë edhe qarkun e Beratit, çka ka sjellë edhe vështirësi qarkullimi.
Policia Rrugore ka shpëtuar një familje që kishte mbetur në aksin rrugor Poliçan-Mali i Tomorit, pasi automjeti me të cilin qarkullonin nuk mund të vijonte lëvizjen për shkak të dëborës.
Në automjet ndodheshin 5 shtetas, midis tyre 2 fëmijë (familje) të cilët kishin mbetur në vendin e quajtur “Gjurma”.
“Familja nga Berati, kishte udhëtuar drejt malit të Tomorit dhe në kthim për shkak të reshjeve të dendura të dëborës, automjeti i tyre kishte xhiruar dhe për pasojë kishte pësuar dëmtime në goma, duke e bërë të pamundur lëvizjen drejt qytetit të Beratit.
Shërbimet e Qarkullimit Rrugor i transportuan me automjetin e tyre deri në banesë shtetasit që ndodheshin në automjet.
Shërbimet e Qarkullimit Rrugor, apelojnë për të gjithë drejtuesit e mjeteve nëse udhëtojnë drejt malit të Tomorit, të përdorin zinxhira dhe goma dimërore, të moderojnë shpejtësinë, të mos kryejnë parakalime të gabuara dhe të ndjekin udhëzimet e Policisë Rrugore.
Borëpastrueset po vijojnë punën në këtë aks rrugor për pastrimin e rrugës”, thuhet në njoftim. /vizionplus.tv




