Macron për planin e Trump për Ukrainën: Po lëviz në drejtimin e duhur, por ka nevojë për përmirësime

Plani i paqes i Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, për Ukrainën po lëviz në drejtimin e duhur, por ka aspekte që duhen përmirësuar për ta bërë të pranueshëm për Ukrainën dhe Evropën, tha të martën Presidenti francez , Emmanuel Macron, për radion RTL.
“Është një iniciativë që po lëviz në drejtimin e duhur: paqja. Megjithatë, ka aspekte të këtij plani që ia vlen të diskutohen, negociohen, përmirësohen”, vuri në dukje Macron.
“Ne duam paqe, por nuk duam një paqe që do të përbënte kapitullim”, theksoi ai, duke shtuar se vetëm ukrainasit mund të vendosnin se çfarë lëshimesh territoriale ishin të gatshëm të bënin.
“Ajo që u vu në tryezë na jep një ide se çfarë do të ishte e pranueshme për rusët. A do të thotë kjo se është edhe ajo që duhet të pranohet nga ukrainasit dhe evropianët? Përgjigja është jo”, theksoi ai.
Ai theksoi gjithashtu se u takon “evropianëve të vendosin” se si t’i përdorin asetet e ngrira ruse , të cilat Donald Trump i propozon në planin e tij për të investuar në programe për rindërtimin e Ukrainës që do të kryhen nga Shtetet e Bashkuara.
“Evropianët janë të vetmit që kanë të drejtë të thonë fjalën e tyre, sepse kjo është pjesë e planit, për atë që do të bëjmë me asetet e ngrira ruse, të cilat mbahen nga evropianët”, vuri në dukje ai në një intervistë me RTL.
I pyetur nëse kishte ndërmend të shkonte në Uashington për të ndihmuar në negociimin e një marrëveshjeje më të mirë, Macron u përgjigj se nuk kishte ndërmend ta bënte këtë në këtë kohë./vizionplus.tv




