Fushata presidenciale në Francë ka hyrë në një fazë kyçe, ndërsa mbetet vetëm një javë nga raundi i dytë i zgjedhjeve që do të mbahet më 24 prill.

 

Kundërshtarët e kandidates së ekstremit të djathtë, Marine Le Pen kanë paralajmëruar protesta në më shumë se 30 qytete, ndërsa beteja për presidentin Emmanuel Macron duket gjithnjë e më e ashpër.

 

Shefi i Elizesë ruan përparësinë në sondazhet e opinionit, por me një diferencë të ngushtë, sikurëse u reflektua edhe në rezultatin e raundit të parë, në raportin 28 % kundrejt 23%.

 

Së fundmi, çështja e mbulesës për gratë muslimane ka marrë një fokus të rëndësishëm në fushatë. Marine Le Pen ka deklaruar se do t’i ndalojë ato në rang vendi, ndërsa Macron ka premtuar se nuk do të ketë ndryshime në ligjet ekzistuese, ku mbulesa islame ndalohet aktualisht në shkolla.

 

Kritikët shprehen se kundërshtimi i Le Pen ndaj shamisë përkthehet si një prirje e  rrezikshme për unitetin francez, duke stigmatizuar miliona njerëz në vendin me popullsinë më të madhe muslimane në Evropën Perëndimore.

 

Ndërkohë, Macron ka fituar mbështetjen e ish-presidentëve Nicolas Sarkozy dhe Francois Hollande. Qindra personalitete të njohur gjithashtu janë rreshtuar në krah të tij, në përpjekje për të bllokuar ardhjen e ekstremistëve të djathtë, në pushtet.

 

Le Pen, qëndrimi i së cilës është kundër imigracionit dhe euroskeptike, është përpjekur në vitet e fundit të zbusë imazhin e saj dhe atë të partisë së saj “Rally National”.

 

Ndërsa aktivistët e ndryshimit të klimës janë të pakënaqur dhe kanë protestuar ndaj programeve mjedisore të të dy kandidatëve.

 

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *