Nga Mimoza Ibra
Nga sot, inspektorët e Tatimeve do të jenë në terren për të identifikuar rastet kur fermerët e shesin qumështin dhe produktet e bulmetit pa faturë. Në rastet kur do të ketë shkelje, produktet do të sekuestrohen.
Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve thotë se që prej datës 7 korrik ka njoftuar 12 mijë tatimpagues që tregtojnë produkte bujqësore dhe blegtorale që të marrin masat që çdo mall të shoqërohet me faturë tatimore.
Por, në ditën e parë të aksionit, në rrugica edhe këtë të hënë, fermerët e vegjël kane shitur prodhimin e tyre njësoj si më përpara.
Ata tregtojnë pa prerë faturë, në disa raste edhe sepse janë të paqartë sesi duhet të veprojnë për të marrë pajisjen që lëshon faturë, ndërsa të tjerë shprehen se kjo nuk është pjesë e kulturës së tyre të punës.
Për ekspertët, formalizimi i tregtarëve të qumështit dhe produkteve të bulmetit merr një nevojë të veçantë për procesin e negociatave dhe për të përmbushur kriteret për sigurinë ushqimore.
“Ne presim që së shpejti të hapet edhe grup-kapitulli i fundit që lidhen me bujqësinë dhe sigurinë ushqimore, do të kemi rregulla dhe procese shumë më ndryshe nga çfarë kemi pasur deri tani. Këto janë probleme që paraqesin problematikë në sigurinë ushqimore dhe secili duhet të jetë i ndërgjegjshëm dhe të kuptojë që integrimi evropian na vendos përpara disa sfidave. Flasim për Evropën dhe siguria ushqimore e konsumatorëve është çështje parësore. Nuk mund të tregtosh produkte pa faturë, jo vetëm nga ana financiare por edhe produkte që paraqesin problematikë për sigurinë ushqimore. Qumësht në rrugë në një situatë ku temperaturat janë tejet të larta nuk duhet të lejohet. Kontaminimet janë nga më të ndryshmet, mbartin sëmundje të ndryshme nga trajtimi i lopëve dhe përdorimi i antibiotikëve. Zinxhiri i gjurmueshmërisë duhet të jetë në efikasitet që të kemi siguri për popullatën. Është nismë e duhur, mund të ishte edhe më përpara”, tha Ilir Pilku, ekspert për bujqësinë.
Sipas ekspertëve, është koha që tregtimi i produkteve ushqimore të bëhet sipas standardeve.
“Në produktet blegtorale nuk mund të tregtosh produktin pa pasur një biznes të caktuar dhe që duhet të funksionojë në kushte të caktuara. Duhet të hiqet nga mendimi që mund të tregtosh qumësht në treg jo vetëm pa faturë, por edhe pa mënyrën e duhur të tregtimit. Është një çështje që do të vijë duke u shtuar, në kuptimin e intensifikimit të rregullave. Duhet të mësohemi me rregulla të reja, fermerët duhet të bashkëpunojnë me njëri-tjetrin që në mënyrë kolektive ta dërgojnë qumështin në pikat e grumbullimit”, shtoi Pilku.
Tatimet paralajmërojnë se nuk do të mungojnë penalitetet për ato subjekte që produktet blegtorale i kanë të pashoqëruara me faturë të fiskalizuar të blerjes, ku të identifikohet shitësi dhe origjina e produktit.
/vizionplus.tv





