Edhe sot ushtria izraelite ka vijuar bombardimet në Rripin e Gazës. Të paktën 20 palestinezë, mes tyre 7 fëmijë kanë mbetur të vdekur në qytetin jugor Rafah , në kufi me Egjiptin, ndërsa mijëra të tjerë përpiqen të strehohen që t’i shpëtojnë luftës.
Situata humanitare vijon të jetë dramatike, ndërsa ekziston rreziku që Gaza shumë shpejt të kthehet në një vatër infeksioni. Nga ana tjetër ndihmat nuk mjaftojnë për të gjithë , çka bënë qe një pjesë e konsiderueshme e popullsisë të vuaj nga uria.
Përveç bastisjes në qytetin e Jeninit, ku janë vrarë katër palestinezë, forcat izraelite kanë kryer operacione në pjesë të tjera të Bregut Perëndimor të pushtuar, ku janë arrestuar të paktën 15 persona.
Kryeministri Netanyahu ka deklaruar se Rripi i Gazës do të jetë nën kontrollin ushtarak izraelit pas luftës, ndërsa ka theksuar faktin se nuk do të dorëzohet përpara presionit ndërkombëtar.
Ndërkohë, Asambleja e Përgjithshme e OKB-së do të votojë sot për një armëpushim të menjëhershëm në Gaza, disa ditë pasi SHBA vuri veton ndaj një rezolute të ngjashme të propozuar në Këshillin e Sigurimit. Drafti aktual i propozuar u paraqit nga 20 vende arabe dhe Organizata për Bashkëpunim Islamik./vizionplus.tv./





