Irani mohoi sot se ka furnizuar Rusinë me raketa balistike, disa ditë pasi SHBA tha se do të kishte një përgjigje të fortë ndërkombëtare për çdo veprim të tillë.

Në fillim të kësaj jave Reuters, duke cituar gjashtë burime, raportoi se Irani  kishte furnizuar Rusinë me një numër të madh armësh të fuqishme balistike tokë-tokë, duke thelluar bashkëpunimin ushtarak midis dy vendeve që i nënshtrohen sanksioneve të SHBA-së.

Administrata amerikane e presidentit Joe Biden paralajmëroi dje Iranin për një përgjigje “të shpejtë dhe të ashpër” nga komuniteti ndërkombëtar nëse Republika Islamike i ka ofruar Rusisë raketa balistike.

“Pavarësisht kufizimeve ligjore për shitjen e raketave balistike, Irani është moralisht i detyruar të përmbahet nga transaksionet e armëve gjatë luftës Rusi-Ukrainë për të parandaluar shpërthimin e luftës,” tha delegacioni iranian në Kombet e Bashkuara.

Kufizimet e Këshillit të Sigurimit të OKB-së për eksportet e raketave, dronëve dhe teknologjive të tjera të Iranit përfunduan në tetor.

Megjithatë, SHBA-ja dhe BE-ja mbajtën sanksione ndaj programit të raketave balistike të Iranit, mes shqetësimeve për eksportet e armëve për përfaqësuesit e saj në Lindjen e Mesme dhe Rusinë.

Irani fillimisht mohoi furnizimin me dronë për Rusinë, por muaj më vonë pranoi se kishte dërguar një numër të vogël dronësh përpara se Rusia të fillonte pushtimin e saj në Ukrainë më 24 shkurt 2022.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *