Lufta në Lindjen e Mesme, Kina vendos veton ndaj rezolutës së Këshillit të Sigurimit të OKB-së

Kina ka vendosur veton ndaj rezolutës së paraqitur në Këshillin e Sigurimit të OKB-së lidhur me Ngushticën e Hormuzit, duke bllokuar miratimin e saj.
Sipas raportimeve të Al Jazeera, në votim 11 vende votuan pro, dy kundër, ndërsa dy të tjera abstenuan.
Rezoluta ishte propozuar nga Bahreini dhe u bënte thirrje shteteve të koordinonin përpjekjet për “mbrojtjen e lundrimit tregtar në ngushticën e Hormuzit”.
Ministri i Jashtëm i Bahreinit, Abdullatif bin Rashid Al Zayani, në reagimin e parë lexoi një deklaratë të përbashkët në emër të Bahreinit, Emirateve të Bashkuara Arabe, Arabisë Saudite, Katarit, Kuvajtit dhe Jordanisë në Këshillin e Sigurimit.
Vendet në fjalë “shprehin keqardhjen që rezoluta e paraqitur sot para jush nuk u miratua”, deklaroi ai.
“Këshilli nuk mori përgjegjësinë e tij përballë një sjelljeje të paligjshme që kërkon veprim të vendosur dhe të menjëhershëm”, vijoi më tej.
Ai shtoi se shpresonin që draft-rezoluta të ishte një hap drejt një zgjidhjeje të qëndrueshme, e cila do të garantonte lirinë e lundrimit në ngushticën e Hormuzit, si një rrugë ujore ndërkombëtare ku asnjë shtet nuk ka të drejtë të pengojë kalimin, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare.




