Pas tërheqjes përfundimtare të trupave amerikane nga Afganistani, presidenti Joe Biden ka deklaruar se lufta nuk mund të zgjaste përgjithmonë dhe nuk kishte tjetër alternativë përvecc largimit ose përshkallëzimit. Në një konferencë për shtyp, kreu i Shtëpisë së Bardhë u shpreh se operacioni nuk ka marrë fund tërësisht pasi janë evakuuar 90 % e njerëzve që duan të largohen nga Afganistani, dhe pjesa e mbetur nuk do të braktiset.

 

“Shtetet e Bashkuara i dhanë fund luftës më të gjatë në historinë e Amerikës. Ne përmbushëm një nga evakuimet ajrore më të mëdha në histori me më shumë se 123 mijë që tashmë janë të sigurt. Asnjë komb nuk e ka bërë këtë ndonjëherë. Vetëm Shtetet e Bashkuara kishin kapacitetin, vullnetin dhe aftësinë për ta kryer. Ne do të vazhdojmë të ndihmojmë të gjithë amerikanët e mbetur, jemi afër fundit.”

 

Presidenti Biden tha se ai pranon përgjegjësinë për vendimin për t’u tërhequr nga Afganistani, duke shtuar se beson se qëndrimi më i gjatë nuk ishte një opsion.

 

“Ne i dhamë drejtësi Bin Ladenit më shumë se një dekadë më parë. Al-Kaeda u shkatërrua. Kjo është një botë e re dhe ka kërcënime nga al-Shabab, anëtarët e al-Kaedës dhe grupi i të ashtuquajturit Shtet Islamik. Unë nuk besoj se siguria e Amerikës është rritur duke vendosur mijëra trupa dhe duke shpenzuar miliarda në Afganistan.”

 

Më shumë se 2,400 ushtarakë amerikanë u vranë në luftën afgane, me gati 23,000 të plagosur. Presidenti amerikan Joe Biden vlerësoi punën e tyre duke thënë se kanë rrezikuar jetën për t’u shërbyer të tjerëve jo në një mision lufte, por një mision mëshire.

 

Biden ka deklaruar se strategjia amerikane duhet të ndryshojë dhe nuk ka nevojë të ketë trupa në terren për të luftuar terrorin.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *