Dështim! Kjo është fjala që i shkon më tepër përshtat produktit që dha takimi mes kryeministrit Edi Rama dhe kreut të opozitës Lulzim Basha. Mazhoranca dhe opozita nuk arritën të kapërcejnë dallimet për të gjetur kompromisin per miratimin e reformës në drejtësi. Pas 3 orë bisedimesh intensive, ku palët përplasën qëndrimet e tyre mbi paketën e ndryshimeve kushtetuese, Rama dhe Basha i faturuan njëri-tjetrit përgjegjësinë e dështimit. Rama tha se opozita refuzoi, jo për habinë e tij, draftin e ofruar nga ekspertët ndërkombëtarë. Ndryshe mendon rivali i tij Basha, i cili theksin e vuri tek formulat që garanton pavarësinë e drejtësisë. Por Rama theksoi se PD nuk e ka dashur asnjëherë reformën, edhe pse kjo nuk do të thotë se do refuzojë ta votojë atë. Votën e opozitës pro reformës Lulzim Basha e garantoi vetëm nëse arrihet moskapja e sistemit. Po lideri i mazhorances e ka bere te qarte se nuk mund ta prese me opozitën dhe se drafti do te shkoje ne parlament. Një lëvizje e tillë politike pa dakordësinë e opozitës, për Lulzim Bashën do të sillte vetëm dështim të reformës. Mungesa e konsensusit politik pas takimit 3-orësh mes kryeministrit Rama dhe kryedemokratit Basha, me shumë gjasë do të vëre sërish në lëvizje faktorin ndërkombëtar, i cili është investuar shumë për miratimin e reformës në sistemin e drejtësisë shqiptare.





