Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj këtë të martë është takuar me përfaqësues të Fondacionit “Gjurmë”, i cili është krijuar dhe angazhuar për t’u ardhur në ndihmë familjeve të punonjësve të Policisë të rënë në detyrë.

 

Hapi i parë është hedhur në Shkodër, ku me kontributin e vetë punonjësve të Policisë së Shtetit ka nisur puna për rindërtimin e banesës së familjes Ndreshaj.  Gjatë bisedës ku ishin edhe drejtues të lartë të Policisë, ministri është shprehur se puna e Fondacionit duhet të shtrihet edhe përtej ndihmës për familjet e Dëshmorëve të Atdheut.

 

“Ky Fondacion, dalëngadalë duhet të shndërrohet në një fondacion për Policinë Shqiptare, jo vetëm për familjet e policëve të rënë, se ne nuk besojmë dhe nuk shpresojmë, që ato familje të jenë përjetësisht në nevojë për t’u mbështetur. Por ashtu siç është dhe praktika në shumë Polici të botës, që për çdo organizatë të madhe ka një fondacion, i cili e mbështet Policinë, sepse duhen mbështetur edhe këta që janë në detyrë sot.  Koncepti i Fondacionit duhet të shtrihet përtej familjeve të policëve të rënë. Kuptohet, sot është fokusi këtu, se këtu i kemi emergjencat më të mëdha. Nesër nëse Fondacioni do të fuqizohet, se fondacioni mund të fuqizohet shumë, varet nga ju, ka fondacione në botë që janë fuqi ekonomike. Vetë policia ka nevojë që të ketë një suport edhe moral, për ta mbështetur qoftë edhe me fjalë”.

 

Nga ana tjetër drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ardi Veliu e sheh me optimizëm nismën.

 

“Pavarësisht ndihmave të copëzuara, apo përkujdesjes që ka qenë e vazhdueshme, në  fakt nga organizata e Policisë apo dhe nga Qeveria, gjithsesi kjo përkujdesje ka qenë e limituar, ka qenë në kohë, ka qenë në ditë të veçanta, por jo në mënyrë periodike edhe e detajuar, siç ne po e konkretizojmë sot. Unë gjej rastin këtu që të falënderoj kolegët, që janë të pranishëm, por jo vetëm kolegët, të gjithë organizatën e Policisë që iu përgjigj thirrjes dhe angazhimit tonë që me kontributet vullnetare të mbledhim një shumë që është goxha e konsiderueshme. Kjo na bën optimistë që jo vetëm në këtë rast, por dhe në rastet e tjera të cilat mbi bazën e reagimit, apo analizës, apo vlerësimit që do të bëjë Fondacioni ne të vazhdojmë të ecim dhe t’i mbështesim për të vazhduar çdo ditë, që ky Fondacion të jetë jo vetëm një histori suksesi për Fondacionin, por dhe një frymë solidarizimi dhe angazhimi të organizatës tonë të Policisë për të qenë gjithmonë bashkë”.

 

Ndërkohë Freda Kanani, një nga themelueset e Fondacionit  është shprehur se gjurmë lënë të gjithë përditë, të gjithë ata që shërbejnë, lënë gjurmë shumë të forta dhe për këtë arsye jemi tërësisht të angazhuar dhe do të jemi gjithmonë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *