Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se lirimi i hapësirave publike është një proces i vështirë, por i pandalshëm. Gjatë një mbledhjeje me deputetët dhe drejtuesit e bashkisë së Tiranës, ai njoftoi se për këtë çështje do të ndërmerret një akt normativ dhe paralajmëroi një reformë të thellë.
“Do të jetë jo e lehtë, por do të jetë e pandalshme dhe konstante. Do të vazhdojë derisa të mos ketë më tendenca të kundërta. Nuk mund të ketë trotuar privat, apo pronë private rreth një pallati të ri. Hapësira publike është e përbashkët,” – u shpreh Rama.
Kryeministri theksoi se praktika të tilla si zënia e hapësirave me karrige apo çadra për të kërkuar më pas legalizim, siç ka ndodhur në Lungomare të Vlorës, janë të papranueshme dhe do të marrin fund.
“Për këtë temë do bëjmë një reformë të plotë. Shumë shpejt, edhe për çështjen e ujit të pijshëm, do të na duhet të ndërhyjmë me akt normativ,” shtoi ai, duke shtuar se 83 mandate në Kuvend do të përdoren në shërbim të qytetarëve.
Sipas Ramës, ndryshimi do të jetë i qëndrueshëm dhe nuk do të lejojë më abuzime me hapësirat publike në qytetet e vendit.
/vizionplus.tv




