Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, ka përshëndetur protestën madhështore në sheshin “Skëndërbej” në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së të cilët po gjykohen në Hagë.
Përmes një postimi në Facebook, Begaj shkruan se UÇK është themeli i lirisë së Kosovës dhe askush nuk mund të zhbëjë këtë trashëgimi trimërie, sakrifice e heroizmi.
Postimi i Begajt:
UÇK-ja është themeli i lirisë së Kosovës.
Ajo është krenari e historisë sonë kombëtare.
Askush nuk mund të zhbëjë këtë trashëgimi trimërie, sakrifice e heroizmi.
Prej orës 17:00 me mijëra qytetarë shqiptarë nga të gjitha trojet janë mbledhur në sheshin “Skënderbej’ ku po protestojnë në mbështetje të ish-krerëve të UÇK, duke kërkuar drejtësi nga Gjykata e Hagës.
Kjo protestë është e treta me radhë pas atyre të mbajtura në Prishtinë dhe Hagë, ku më 14 shtator u mblodhën rreth 10 mijë shqiptarë në afërsi të Gjykatës Speciale. Në Hagë, që prej 3 prillit 2023, po zhvillohet procesi ndaj ish-krerëve të UÇK-së: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, të cilët i kanë mohuar të gjitha akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.





