Lindita Nikolla u takua këtë të mërkurë me kreun e parlamentit të Greqisë, Constantine An. Tassoulas.

 

Kryeparlamentari grek shprehu vullnetin e Greqisë për të forcuar bashkëpunimin me Shqipërinë si edhe gatishmërinë për të nxitur e mbështetur bashkëpunimin e gjithanshëm midis të dy vendeve.

 

“Greqia është një fqinje e çmuar, një mike historike dhe e qëndrueshme,  partnere e rëndësishme e Shqipërisë në rrugën drejt demokracisë, përparimit dhe integrimit evropian. Bashkëpunimi midis dy vendeve tona është strategjik dhe ne jemi të vendosur që ai të vazhdojë të forcohet në frymën e fqinjësisë së mirë, në të mirë të interesave tona të përbashkëta, partneritetit të ngushtë në NATO dhe perspektivës së përbashkët evropiane. Shqipëria i është mirënjohëse Greqisë për mbështetjen e madhe, të qartë dhe të vendosur të procesit të integrimit evropian, çeljes së negociatave dhe jemi  të bindur se këtë mbështetje  e kemi edhe për mbajtjen e Tryezës së parë Ndërqeveritare gjatë Presidencës sllovene, brenda dhjetorit 2021. Vendet tona i lidhin edhe dy ura të fuqishme miqësie: minoriteti grek në Shqipëri, i cili gëzon të gjitha të drejtat që gëzojnë qytetarët shqiptarë dhe komuniteti i emigrantëve shqiptarë në Greqi, të cilët përbëjnë komunitetin më të madh të të huajve dhe që prej tridhjetë vjetësh kontribuojnë për familjet e tyre, për  ekonomitë dhe sistemet e mirëqenies së të dy vendeve”, u shpreh Nikolla.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *