Gjykata e Posaçme ka caktuar masën arrest me burg për avokatin Radovan Çela, i cili akuzohet nga SPAK për ndërhyrje në disa dosje, mes tyre edhe ajo e ‘Toyota Yaris’.
Avokati Çela u vetëdorëzua në Policinë e Tiranës më 5 mars, ndërsa paraditen e kësaj të shtune doli para gjykatës për vlerësimin e masës së sigurisë.
Mësohet se Çela ka mohuar akuzën, duke thënë se nuk ka pasur llogari në “Sky-ECC”. Avokati i tij u kërkoi një masë më të butë sigurie, pasi nuk ekziston rreziku i ikjes apo i prishjes së provave.
Por, gjykata la në fuqi arrestin me burg. Ndaj tij rëndojnë dy akuza: “korrupsioni aktiv i gjyqtarit, prokurorit dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë” dhe “ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave me funksione publike”.





