Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar këtë të enjte një konferencë me 40 rektorët e universiteteve publike dhe private, në një bisedë të hapur për cilësinë e institucioneve tona të arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor. E pranishme në këtë konferencë ka qenë edhe ministrja e Arsimit Mirela Kumbaro.
Në fjalën e tij, kryeministri tha se duhet reflektim mbi shqetësimet që janë shprehur, ndërsa shtoi se sfida e përbashkët e qeverisë shqiptare dhe universiteteve janë ndërkombëtarizimi i universitetoit dhe racionalizimi i burimeve dhe potencialeve.
Fjala e Ramës:
Është koha për të rivizituar ligjin për arsimin e lartë pasi tanimë ka kaluar një periudhë e mjaftueshme për të reflektuar në ligj ndryshimet që ka sjellë koha.
Kemi një praktikë të mirë të mëparshme. Ligji është shkruar në bashkëpunim me ju, me kontributin tuaj dhe ky do të jetë përsëri rasti. Shpresoj që edhe për shkak të eksperiencës do të jetë e mundur ta bëjmë në kohë të arsyeshme dhe nuk do presim sesionin tjetër për ta përgatitur bazën e ndryshimeve. Procedurat parlamentare mund të jetë në fillim ose fund sesioni. Të reflektojmë mbi shqetësimet dhe konstatimet dhe të shkruajmë ndryshimet.
Nuk duhet ta humbasim nga vëmendja se sfida jonë e përbashkët është nga një anë ndërkombëtarizimi i universitetit dhe nga ana tjetër racionalizimi i burimeve dhe potencialeve. Ka ndodhur një ndryshim i rëndësishëm në qasjen ndaj financimit. Deri dje, gjithçka ishte e lidhur me buxhetin e shtetit. Sot UT është në krye të një vargu universitetesh që e ka rritur kapacitetin financues jashtë buxhetit të shtetit, duke qenë në gjendje të ndërtojë skuadra dhe projekte europiane dhe duke përfituar nga fondet europiane.
Kjo ka rritur të ardhurat e pedagogëve më aktiv dhe ka krijuar një situatë të re. Në takimin e ardhshëm do doja që të diskutonim hapur këtë proces dhe do doja të ftonim të gjithë rektorët, edhe të universiteteve private.





