Subscribe

Disa prej ligjeve më të rëndësishme të këtyre javëve të fundit u miratuan pa debat nga shumica qeverisëse për shkak të protestës së opozitës.

Me zhurmues e pankarta deputetët demokratë nuk lejuan asnjë prej përfaqësuesve të mazhorancës të diskutojë për ligjet e parashikuara në rendin e ditës.

Lexo edhe :

Related Posts

Për shkak të kësaj situate mazhoranca votoi pa debate ndryshimet në ligjin për turizmin, ligjin për burimet ujore dhe atë për investimet strategjike.

Por protesta e opozitës është shoqëruar me problem edhe në procesin e votimit. Për shkak se votimi bëhet me karton dhe sot kishte jo pak mungesa në radhët e mazhorancës, drejtuesja e seancës Ermonela Felaj nuk ishte në gjendje të sqaronte për asnjë ligj se sa vota mori pro, sa abstenim e sa kundër.

Edhe pse Felaj nuk përmendi votë kundër apo abstenim, në sallë u pa socialisti Erion Braçe që abstenoi për ligjin e investimeve strategjike, ndërsa Agron Shehaj votoi kundër.

Në emër të mazhorancës ministrja për marrëdhëniet me parlamentin Elisa Spiropali i bëri apel opozitës t’i kthehet dialogut dhe diskutimeve normale.

“Ka ardhur koha që ti gjejmë dy fjalë të përbashkëta. Ejani në Konferencën e Kryetarëve të biem dakord për objektet, ejani në komisionin e Reformës Zgjedhore dhe sillni propozime përmbajtësore”, tha Spiropali.

Por pavarësisht  apelit të qeverisë opozita do të vazhdojë protestën në parlament deri në plotësimin e kërkesave të saj. Jashtë ambienteve të parlamentit, kreu i grupit parlamentar Gazment Bardhi denoncoi ndryshimet në ligjin për investimet strategjike. Për më tepër sipas Bardhit votimi është i pavlefshëm se nuk kishte kuorum.

“Që të hapet procesi i votimit duhet të kenë votuar pro 71 deputetë. Deklarohet që janë 68 por kjo nuk e ndal vrullin për të miratuar ligjin për investimet strategjike që është në interes të një grushti oligarkësh”, tha Bardhi.

Sipas rregullores së kuvendit që votimi të jetë i vlefshëm duhet që në sallë të jenë prezent 71 deputetë dhe  të votojnë pro shumica e deputetëve në salle. Gjithnjë ka pasur debate në parlament nëse deputetët që janë në sallë, por protestojnë a mund të llogariten apo jo kur merret parasysh krijimi i kuorumit./vizionplus.tv

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *