Nuk ka shpresa për rinisjen e futbollit. Takimi i Presidentit të Federatës, Armando Duka me kryeministrin Edi Rama të premten nuk ka dhënë sinjalet e mjaftueshme pozitive që shumë shpejt bojkoti të marrë fund.
Liga Profesioniste e Futbollit u mblodh sërish sot, duke konfirmuar se afati për qeverinë është dita e enjte.
EDVIN LIBOHOVA
KREU I LIGËS PROFESIONISTE TË FUTBOLLIT
“Jemi në një situatë ku ne prisnim ditën e premte një përgjigje nga Ministria e Financave, që akoma nuk e kemi zyrtarisht. Duke parë sinjalet pozitive nga takimi i presidentit Duka me kryeministrin Rama, presidentët vendosën që ne do të presim deri ditën e enjte, nëse do të kemi një përgjigje nga qeveria. Më pas do mblidhemi për të vendosur për vazhdimin ose jo të bojkotit. Po i lëmë një afat tjetër, për të pasur një përgjigje dhe më pas do mblidhemi për të marrë vendimin përfundimtar. Nuk e dimë pse ende nuk ka ardhur një përgjigje përfundimtar. Nuk ka një ngërç.
Libohova tha se në mbledhje u fol edhe për takimin që presidenti Duka kishte me kryeministrin Edi Rama por pa dhënë detaje.
EDVIN LIBOHOVA
” Nuk kemi detaje se çfarë diskutoi Duka me Ramën, ishte pozitiv, por nuk kemi detaje. Ky bojkot nuk e rrezikon sezonin. Nuk është diskutuar asnjë formulë te re për kampionatin.”
Në rast se nuk do të ketë përgjigje deri ditën e enjte, Liga do të mblidhet sërish të premten për të diskutuar vijimin e ose jo të bojkotit.





