Ish kryetar i Komunës Shëngjin, Salvador Kaçaj pretendon se është kërcënuar nga persona ende të paidentifikuar. Në denoncimin e tij në polici, Salvador Kaçaj ka deklaruar se dy automjete i kanë prerë rrugën në vendin e quajtur M+ dhe një person është afruar në drejtim të tij me pistoletë në dorë.

 

Në momentin e ngjarjes, Salvador Kaçaj, i cili njëkohësisht është dhe mbështetës i kandidatit të opozitës në Lezhë, Pashk Gjoni, ndodhej me djalin dhe shoferin e tij.

 

Ky i fundit ka arritur të manovrojë mjetin dhe është larguar nga vendngjarja.

 

“Rreth orës 18:00, është paraqitur në Komisariatin e Policisë Lezhë shtetasi S. K. 56 vjeç, banues në Lezhë, dhe ka bërë kallzim se ka qenë duke lëvizur me mjetin e tij së bashku me djalin e shoferin, në aksin rrugor Lezhë-Milot, dhe konkretisht  sapo kalon vendin e quajtur M+, dy automjete i kanë dalë përpara duke i bllokuar rrugën. Nga automjetet kanë zbritur dy persona të panjohur prej tij,  ku njëri prej tyre është afruar me vrap në drejtim të mjetit të tij dhe dyshohet se në dorë mbante një  pistoletë”, thuhet në njoftim.

 

Autoritetet po kryejnë të gjitha veprimet hetimore dhe procedurale me qëllimin zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve të dyshuar.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *