Situata në Partinë Demokratike nuk është e qetë pas humbjes së zgjedhjeve dhe kërkohet largimi i Lulzim Bashës. Një prej këtyre zërave është edhe Edith Harxhi, ish-anëtare e Kryesisë së PD, për të cilën, Basha duhet të mbajë përgjegjësi për rezultatin zgjedhor.

 

Gjatë një interviste për edicionin qendror të lajmeve në “Vizion Plus”, me gazetarin Aleksandër Furxhi, Harxhi deklaroi se Basha nuk i frymëzoi qytetarët për ndryshimin.

 

“Kemi eksperiencën e vitit 2017 dhe për këtë arsye nuk kishte asnjë surprizë nga ana jonë. Shpresonim shumë që PD të fitonte këto zgjedhje, pavarësisht faktit që shihnim në terren që nuk ishte ngritur fryma që duhej për të rrëzuar qeverinë e Ramës. Fryma që i mungonte PD, por që ishte në 2005, kur u bë ndryshimi i madh. Kjo është humbja e katërt radhazi e PD. Basha në Durrës flet për mosnjohjen e rezultatit zgjedhor. Është e vërtetë që ka një manipulim të qytetarëve, por nga ana tjetër, duhet parë rezultati. Basha nuk ka arritur të frymëzojë, nuk arriti të ngrejë edhe elektoratin gri, që është i fjetur. Zoti Basha duhet të mbajë përgjegjësi, sikurse elita drejtuese e PD. Në vetëm tri ditët e fundit janë tre anëtarë të Këshillit Drejtues të PD që kanë dhënë dorëheqjen ose kanë shpallur pakënaqësitë e tyre në mënyrë të drejtpërdrejt me kryetarin. Debati është i munguar në PD, prej disa kohësh, nuk lejohet as të protestohet lirshëm.”

 

Harxhi dha një përgjigje për të gjithë ata që e akuzojnë se me lëvizjen kundër Bashës, po i shërben kryeministrit Edi Rama. Ajo shprehu publikisht mbështetjen e saj për kandidaturën e Fatbardh Kadillit për kreun e PD dhe paralajmëroi se deri në fund kur të zhvillohet gara, do të ketë surpriza përsa u takon kandidaturave.

 

“Më vjen keq për të gjithë ata që më vendosin në tepsinë e zotit Rama sepëse nuk kam dhe nuk do të kem kurrë asnjë lidhje me të. Qëndrimi ynë është qëndrimi i Bardhit, e mbështes plotësisht në kandidaturën e tij, i uroj shumë suksese. Jam e sigurt se do të ketë kandidatura të shumta, nëse Basha do të pranojë të shkohet në një proces elektoral ashtu siç duhet. Unë vetë nuk kam pritshmëri për të kandiduar, por nuk i dihet, mund të ketë surpriza pafund deri ditën e zgjedhjeve.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *