Subscribe

Forcimi i lekut në raport me euron gjatë muajve të fundit, ka zbutur goditjet për ekonominë vendase nga sektori i jashtëm.

 

Një lek më i fortë përballë euros do të thotë se të gjitha mallrat që importohen në valutë të huaj, kushtojnë më lirë dhe për pasojë, inflacioni i importuar, që ishte edhe shqetësimi kryesor për ekonominë tonë gjatë vitit të shkuar, bie.

 

Përfitues po ashtu nga nënçmimi i euros janë ata individë, që kanë të ardhurat në lekë dhe shpenzimet në monedhë të huaj.

 

MATEO SPAHO

EKSPERT PER EKONOMINE

 

“Përfituesit janë importuesit e lëndëve të para sepse blejnë më lirë produktet, mallrat, sidomos ato të konsumit. Përfitues neto gjithashtu janë edhe ata shqiptarë që duan të investojnë në një shtet të huaj. Ata që kanë mundësi ekonomike dhe duan të blejnë një shtëpi jashtë shtetit. Përfitues neto janë ata persona që marrin rrogë në lekë dhe duhet të paguajnë këste kredie në euro. Ky është një nga ata raste kur kredia do të kushtonte më pak, edhe pas rritjes së normës bazë të interesit për euron. Nëse bëjmë një llogari në raport me 1 vit më parë, kur euro ishte mbi 1.20 në raport me lekun, atëherë mund të themi që këstet e kredisë sot kushtojnë 7-10% më lirë, për ata që të ardhurat i marrin në lekë.”

 

Zhvlerësimi i euros po ashtu po ul borxhin publik, ku peshën më të madhe e zë borxhi i jashtëm. Vetëm në tremujorin e parë të vitit, sipas qeverisë, borxhi ka rënë në 63.2% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, nga 64.58% që ishte në fund të vitit 2022.

 

KLODIAN MUÇO

EKSPERT PER EKONOMINE

 

“Aspektet pozitive të forcimit të lekut janë kryesisht te borxhi public shqiptar. Borxhi, duke qenë se është në valutë dhe kjo ndoshta ka qenë edhe një ndër arsyet pse borxhi ka pasur një tendencë rënëse, ka ardhur pikërisht prej forcimit të monedhës vendase në raport me monedhat e huaja. Importuesit përfitojnë. Duke qenë se blejnë në valutë dhe shesin në lekë, kanë një përfitim shumë të madh. Përfitojnë ata që marrin paga në lekë dhe kanë një kredi në euro.”

 

Kur përpara kemi sezonin turistik, që karakterizohet nga forcimi i lekut për shkak të prurjeve të shumta të euros, ekspertët nuk presin që monedha evropiane t’i rikthehet trendit rritës përballë lekut, para vjeshtës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *