Kryetari i Partisë Demokratike takoi sot një grup pensionistësh, të cilëve iu premtoi se pensioni minimal në Shqipëri do të jetë 200 euro nëse opozita fiton betejën elektorale të 11 majit.
Berisha shpjegoi se qëllimi i Partisë Demokratike është që të mos lejojë asnjë qytetar në kufijtë e mjerimit, duke shtuar se brenda tre muajve të parë të qeverisjes do të vendoset minimumi jetik prej 200 euro në muaj.
“Në 200 euro i bie 6.3 dollarë në ditë çka është minimumi, por minimumi jetik. Ndaj dhe ne do këpusim nyjën gordiane. Nuk po bëjmë asgjë tjetër, por atë që e kanë bërë të gjitha vendet që nuk duan që qytetarët e tyre të jetojnë në mjerim. Varfëria e skajshme është mjerim. Pensionet e tjera mbi 200 euro, do rriten me 20 përqind”, tha Berisha.
Berisha premtoi edhe disa masa të tjera për të lehtësuar jetën e pensionistëve, si ulja e çmimit të energjisë elektrike dhe përgjysmimi i tarifës për ujin.
“Do të zgjerojmë listën e rimbursimit të ilaçeve. Dy gjërat me ilaçet. U garantoj se ilaçe të pasigurta nuk do hyjnë në Shqipëri në mënyrë kategorike sepse do rikthejmë ligjin që kishin, që ndalonte tregtimin e ilaçeve që nuk tregtoheshin së paku në dy vende të BE”, tha Berisha.
Kryetari i PD iu përgjigj edhe skeptikëve, të cilët mendojnë se buxheti i shtetit nuk ka mundësi të përballojë rritjen e pensioneve.
“Unë ftoj sot çdo pensionist të hedhë sytë në Sharrë, ku është djegësi. Djegësi i Tiranës, që kushtoi 130 milionë euro, që kushtoi 812 mijë pensione, nuk ka as nam, as nishan. Natyrisht në qoftë se i zhdukim me një dorë 130 milionë euro,për pensionistët nuk ngelet. Por ama ato bëjnë 812 mijë pensione”, tha Berisha.
Sipas Berishës, korrupsioni është arsyeja kryesore pse pensionet sot janë më të ulëta në rajon.
“Ministrja që unë e quaj Lubi Balluku, por e ka pak Lubi Balluku, hap tender për pastrimin e përditshëm të veturës së saj. Urdhëroni tani, 10 mijë euro në muaj paguhen nga pensionet tuaja, nga taksat, absolutisht nuk kisha dëgjuar kurrë në jetë një gjë të tillë”, tha kreu i PD.
Ndërkaq, gjatë një konference me gazetarët, Berisha komentoi edhe përgjimet e kryebashkiakut Erion Veliaj.
“Tani, që Erion Veliaj është aty ku është, për krimet e rënda, kjo nuk ka diskutim. Por Erion Veliaj duhet të jetë me organizatë kriminale, familjare dhe bashkiake, të dyja. I ka të dyja. Por që me Erion Veliajn, t’i organizohen kurthe nga ministra, kjo është makbethiane, pak të themi por është makbethiane”, përfundoi kreu i opozitës./vizionplus.tv





