Më në fund, Shqipëria po përgatitet për një kuadër të plotë ligjor për emetimin dhe tregtimin e kriptomonedhave. Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit ka hedhur për konsultim publik projektligjin që synon rregullimin e tregut dhe përcaktimin e mënyrës se si do të funksionojë përdorimi i tij.
“Qëllimi i projektligjit ‘Për Tregjet e Kripto-Aseteve’ është vendosja e një kuadri gjithëpërfshirës ligjor për ushtrimin e veprimtarive të emetimit të kripto-aseteve dhe ofrimin e shërbimeve të lidhura me to, si dhe përafrimi i plotë me acquis e Bashkimit Evropian në fushën e financave digjitale, duke përmbushur kështu detyrimet e Shqipërisë në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian”, thuhet në projektligj.
Në praktikë, individët dhe bizneset, kryesisht institucionet financiare që do të jenë të interesuara për të marrë licencën, do të mund të ofrojnë shërbime tregtimi kriptomonedhash shqiptarëve. Këta të fundit do të kenë mundësi të tërheqin shumat e tyre në këto institucione kundrejt një komisioni të caktuar.
“Nëse unë kam një portofol ku kam investuar 10 mijë dollarë në Bitcoin dhe pas një viti dua ta deklaroj, do të kryhet një vlerësim nëse vlera e investimit është blerë apo transferuar nga një person tjetër. Pra, gjithçka do të monitorohet nga institucioni përgjegjës dhe në këtë mënyrë do të llogariten edhe tatimet mbi fitimin sipas kategorive,” shprehet Shahin Dokuzi, njohës i tregtisë së kriptomonedhave”, tha Shahin Dokuzi, ekspert IT.
Kosova, nga ana tjetër, prej vitesh ka një kuadër ligjor për mënyrën se si funksionojnë kriptomonedhat, të cilat përdoren gjithnjë e më shumë si instrument pagesash në vendin fqinj. Gjë që pritet të ndodhë edhe në Shqipëri.
“Në Kosovë mund të blesh apartament me kripto, të blesh makinë me kripto, të deklarosh asetet kripto në banka të nivelit të dytë ose t’i përdorësh si kolateral. Pra, kriptomonedhat funksionojnë njësoj si euroja apo dollari,” shprehet Vagagji”, u shpreh Edon Vagagji, ekspert i kriptove në Kosovë.
Projektligji synon gjithashtu që, përmes monitorimit, të parandalojë pastrimin e parave përmes kriptomonedhave një fenomen që vitet e fundit ka prekur edhe Shqipërinë.
/vizionplus.tv





