Subscribe

Lefter Koka dorëzon mandatin e deputetit. Vendimi i tij vjen nëntë ditë para se ai të bënte betimin si deputet i Partisë Socialiste për qarkun e Durrësit. Në dorëheqjen e njoftuar në Facebook, Lefter Koka shkruan se është koha për të mbyllur një cikël në politikë. Me vlerësimin se sot Shqipëria është një vend më i mirë, duke ia njohur këtë meritë në mënyrë indirekte kryeministri Edi Rama, Lefter Koka thotë se tanimë është koha që rrugëtimin politik ta vazhdojnë bashkëpunëtorët e tij.

 

“Në këtë rrugëtim plot sfida, suksese dështime është gjithmonë e vështirë të ndalesh një moment dhe të vlerësosh se kur është koha e duhur për të mbyllur një cikël. Sot është dita që rrugëtimin tim politik, ta vijojnë ata mijëra bashkëpunëtorë të mitë, që më bënë fitues për vite me radhë. Sot, e ardhmja u përket atyre”, tha Koka.

 

Gjashtë muaj para parlamentarëve të 25 prillit, Lefter Koka, u largua nga Lëvizja Socialiste për Integrim, për t’u rikthyer në Partinë Socialiste. Kryesocialisti e kandidoi atë në qarkun e Durrësit, ku fitoi mandatin e deputetit me mbi 9 mijë vota, i dyti pas Edi Ramës për nga numri i votës preferenciale.

 

Ish-ministër i Mjedisit i LSI, gjatë mandatit të parë kur Edi Rama bashkëqeveriste me Ilir Metën, nuk përjashtohet mundësia që Lefter Koka të jetë një nga kandidaturat për kryetar bashkie të Durrësit në zgjedhjet e ardhshme vendore, detyrë të cilën e ka ushtruar gjatë periudhës 2003- 2007.

 

Me dorëheqjen e tij dhe me shpërndarjen e mandateve nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të duhet një vendimarrje, nëse mandatin e deputetit do ta marrë ai që ka votën preferenciale më të madhe jashtë listës fituese apo gjinisë më pak të përfaqësuar. Nëse do të vendoset në bazë të votës preferenciale i shkon oficerit të Forcave Speciale të Ushtrisë Denis Deliu, në të kundërt, për të përmbushur kuotën e gjinisë, karrigen e deputetit e fiton Ana Dhamo, që ka edhe numrin më të lartë të votave nga gratë socialiste.

 

Lefter Koka është i treti nga socialistët që dorëzon mandatin e deputetit. I pari ishte kryeparlamentari Gramoz Ruçi. Pak ditë më parë ishte shefja e Spitalit Infektiv Najada Çomo që me largimin e saj kthen në parlament Mimi Kodhelin, që nuk e fitoi mandatin e deputetes pasi u rendit jashtë listës fituese të kryetarit.

 

Përveç tre socialistëve, nga Partia Demokratike i larguari është Mark Marku, deputeti i qarkut të Lezhës.

 

Nëse për socialistët arsyet e largimit, ato të deklaruara publikisht, ishin për t’i hapur rrugën të rinjve apo për t’iu përkushtuar profesioneve të tyre, për Mark Markun arsyeja ishte e lidhur drejpërdrejt për mënyrën sesi Lulzim Basha po e drejton Partinë Demokratike duke e akuzuar se e ka shndërruar në një parti që mbron vetëm interesat e tij personale.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *