Bashkia Shkodër akuzon Këshillin Bashkiak të Vaut të Dejës së po rrit në mënyrë abuzive tarifën për depozitimin e mbetjeve urbane në landfillin e Bushatit.
Duke e cilësuar si një aferë të pastër korruptive, kryebashkiakja në detyrë, Voltana Ademi tha vendimi i marrë parashikon rritje me 43% të tarifës për banorët e qarkut Shkodër dhe Lezhë.
“Në shkresën dërguar Bashkisë Shkodër nga Ndërkomunale Bushat, kërkohet një rritje e pagesës me 43 % të tarifës së depozitimit të mbetjeve urbane në këtë landill, nga 863 lekë në 1500 lekë për ton mbetje të depozituar, me një kosto shtesë prej 26 milion lekë të reja ne vit, peshë për banorët dhe bizneset. Vërej që Landfilli i Bushatit është ndërtuar me fonde publike dhe është në pronësi të Ministrisë dhe jo të një bashkie”, tha Voltana Ademi.
Sipas Ademit, vendimi është i paligjshëm sepse Ligji për Vetëqeverisjen Vendore nuk lejon ndryshime të sistemit tarifor pasi landfilli është në pronësi të ministrisë së infrastrukturës.
“I kërkoj Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Prefektit të Qarkut Shkodër të shqyrtojnë me përgjegjësi këtë situatë duke ndaluar ekzekutimin e paligjshëm të këtij vendimi abuziv që prek drejtpërdrejt çdo banor e biznes, e ndërkohë krijon kolaps në depozitimin e mbetjeve urbane për dy qarqet Shkodër dhe Lezhë.”
Kryebashkiakja Ademi tha gjithashtu se vendimi i shoqërisë ndërkomunale Bushat dhe këshillit bashkiak të vaut të Dejës nuk është depozituar ende pranë zyrës së Prefektit, çka, sipas saj, konfirmon paligjshmërinë.





